E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini, në rolin e frikacakut, që s’guxon të shkëputet nga karrigia e korrupsionit

Deputetë dhe drejtues të PS-së ironizuan dje deklarimet frikacake e minomane të Edvin Ramës, se do të mbante edhe postin e kryeministrit, edhe atë të kryebashkiakut, duke i kujtuar se kishte mbetur bosh edhe vendi i trajnerit të kombëtares së futbollit. Trashëgimia enveriste e Spiro Kolekës dhe e Kristaq Ramës, po merr tek Edvini pamjen e një skeme frikacake për të mbrojtur tortën bashkiake e për të flakur komunistët që kërkojnë pushtet më të madh. Dorëheqja nga fushata, një vendim që po shemb edhe karrierat politike të aparatçikëve të vjetër, që janë në PS, njëkohësisht me Gramoz Ruçin

TIRANE – Deklarimi i Edi Ramës, dy ditë më parë në koefidencë, në një takim me gazetarët, se pas zgjedhjeve të 28 qershorit të këtij viti ai do të jetë edhe kryeministër edhe kryebashkiak, ka ngjallur jo pak reaksion edhe brenda radhëve të drejtuesve e deputetëve të PS-së.
Deputetët më të vjetër në parti, Kastriot Islami, Bashkim Fino, Arben Malaj..., etj., që ishin edhe kundërshtarët e kreysocialistit në Asamblenë Kombëtare të PS-ës, dy ditë më parë, mësohet se përveçse analizës së pengesave ligjore, kanë ironizuar dje me “ndarjen e posteve” nga Edi Rama por, duke i marrë të gjitha për vete.
Në ambiente të ndryshme, Islami, Fino, Malaj..., etj., nuk kanë ngurruar t’i japin të drejtë edhe Kryeministrit Sali Berisha, kur i ka përmendur Edi Ramës, faktin se është nipi i Spiro Kolekës, anëtarit të Byrosë Politike. Sipas deputetëve të zemëruar të PS-së, edhe shoku Spiro Koleka, përfaqësonte dhe ka trashëguar te nipi, mentalitetin e pushtetit që ai përfaqësonte, ku institucionet kontrolloheshin nga një njeri i vetëm që quhej e thirrej “udhëheqës”. Këtë po bën edhe Edi Rama, që si shoku Enver dikur, ai sot ka në ambiciet e tij, kapjen e shtetit, duke u bërë njëherazi kryeministër e kryetar bashkie. Pas kësaj nuk i ngelet gjë tjetër, veçse të bëhet edhe kryetar i Gjykatës së Lartë, apo asaj Kushtetuese, nuk kanë kursyer ironinë e tyre deputetët e zemëruar Kastriot Islami, Bashkim Fino, Arben Malaj..., etj.
Ironia e deputetëve e drejtuesve të zemëruar të PS-së, ka shkuar edhe më tej, kur kanë kujtuar dhe përmendur edhe faktin se prej disa ditësh është bosh edhe vendi i trajnerit të përfaqësuese Kombëtare të futbollit, për të cilin nuk ka asgjë të keqe nëse Edi Rama aspiron, duke qenë se ka edhe një përvojë - megjithëse të dështuar - edhe në sport.
Përveçse një tendencë për kapjen e shtetit, deputetët e PS-ës kanë shpjeguar se kjo ambicie e Edi Ramës, është antikushtetuese dhe me konflikt të hapur interesi.
Ata kanë shpjeguar se sipas Kushtetutës, Kryeministri, emëron prefektët, ndërsa prefektët janë një tip kontrollori të kryebashkiakëve e kryekomunarëve. Në këtë logjikë, deputetët e zemëruar të PS-së, kanë shpjeguar nëpërmjet shtrimit të një pyetje, sipas së cilës, në rast se Edi Rama do të fitonte zgjedhjet e do të zgjidhej kryeministër, kë do të emëronte ai prefekt të Tiranës dhe a do të guxonte ky prefekt të kontrollonte kryetarin e bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, mësohet se deklarata e Edi Ramës, sipas së cilës në rast se do të fitonte zgjedhjet do të bëhej edhe kryeministër, ndërsa do të mbante edhe postin e kryebashkiakut të Tiranës, është kuptuar nga ai vetë që ishte një budallallëk dhe deklarim i pamenduar, për të cilin ka kërkuar dhe udhëzuar që të mos amplifikohet, duke kërkuar mundësi dhe zgjidhje të tjera, nëse do të kandidojë apo jo për deputetët, apo në se do të japë apo jo dorëheqjen si kryetar i bashkisë së Tiranës. Sipas të njëjtave burime, fraza është ricituar sikur për momentin ka një kontratë me qytetarët e Tiranës, prandaj edhe do ta respektonte atë, duke lënë të kuptohej se ajo do të prishej, veç nëse elektorati do t’i besonte një kontratë më të lartë, pra atë të qeverimit. Kështu që në zgjedhje, duhet futur pa asnjë risk, ose të paktën Edvini të mos ndjejë ftohtë as larg, as poshtë. Pa për të tjerët, kiameti le të vijë. Është filozofia e meskinëve, është trashëgimia enveriste e Spiro Kolekës dhe Kristaq Ramës, është në fund të fundit treguesi se në PS asgjë nuk largohet shumë nga këneta komuniste e trashëguar.
Re.po

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›