E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini, para verdiktit të historisë

Dy të tretat e muajit të nxehtë të gushtit janë në kapërcim e sipër. Më pak se dhjetë ditë na ndajnë nga shtatori. KQZ-ja ndodhet, tani, para një detyrimi të mprehtë ligjor: të përgatisë kutitë e votimit për zgjedhjet e pritshme vendore. çështja është e thjeshtë: A mundet ajo të mos e zbatojë nenin 178.6 të Kodit Zgjedhor, përmes një urdhri arbitrar të kujtdo qoftë? Aq më tepër që urdhërdhënësi ka vënë firmën e vet në këtë kod, që ka marrë statusin e një dokumenti ligjor?
Edi Rama duhet të ketë parasysh vetëm se jemi para ditëve të para të shtatorit, që përbëjnë afatin e fundit kur, sipas ligjit, do të ruhet vetëm materiali zgjedhor (që do t’i paraqitet arkivit shtetëror), ndërsa të gjitha kutitë që përmbajnë fletëvotimet, do të zbrazen, për zbatimin e afatit të fundit të pikës 6 të nenit 178 të Kodit Zgjedhor. Ligji parashikon që fletët e votimit do të digjen. Nuk duhen njohuri të posaçme ligjore për të kuptuar se na qenka e mundshme shkelja e ligjit, për t’iu përshtatur interesave vetjake (apo kapriçiove?) të një individi. Madje që të gjendemi edhe përballë kërcënimeve absurde të tipit “Hap kutitë ose ik”!
Janë të shumtë anëtarët e elitës së PS-së që kanë sqaruar se ne nuk mund të thyejmë ligjet dhe kushtetutën për të sanksionuar një precedent të rrezikshëm: që të mohojmë atë që kemi firmosur! Ata që njihen si kompetentë të padyshimtë të rangjeve më të larta të PS-së, si Kastriot Islami dhe Sherif Elmazi, e kanë qartësuar më së miri problemin. Por antiligjori Rama nuk ka marrë parasysh as sugjerimet e LMN-së së tij, për ta pasqyruar çështjen në instancat përkatëse të Kushtetutës sonë, madje edhe në Komisionin e Venecies. Edhe këto mendime të ekspertëve të partisë së tij, E. Rama i ka hedhur poshtë dhe ka ndërsyer populistët e tij që të bëjnë kërcënime publike në manifestime rrugësh të militantëve, që nuk përfaqësojnë as opozitën që ai kujton se e komandon, kur LMN-ja është e gjerë më tepër nga ç’e mendon ai, siç është shprehur z. Islami.
***
Përveç dëmeve të tjera, ne u dashka të marrim edhe namin e keq të një shteti joligjor (që nuk respekton ligjet), duke nisur me shkeljen e nenit 28 të statusit të PS-së, për arsye thjesht vetjake. Numri i komisionerëve socialistë arrin në shifra katërshifrore. Por ata u quajtën të pabesueshëm, madje tradhtarë! E.R.-ja pranon ato zgjedhje, ku të jetë domosdoshmërisht fitues. KQZ-ja e sanksionoi me raportin 7:0 përfundimin zgjedhor. Edhe këtu kemi mohimin e firmave të tre anëtarëve të tij në KQZ, nga Edvini. Tani i thuhet KQZ-së, të mos djegë fletëvotimet, domethënë të mos zbatojë nenin 179.6, të nënshkruar prej atij vetë...
Do të na duhet të ballafaqohemi me historinë, për të vërtetuar se opozita jonë është nihiliste dhe obstruksioniste, nën sundim të Ramës.
Nga historia e re e Belgjikës, të shumtë janë lexuesit e vëmendshëm, që kanë marrë një mësim, që ka të bëjë me themelet e demokracisë: partitë politike vunë, në gjendje të vështira për kohën, interesat e kombit përmbi interesat partiake. Aventurierët e papërgjegjshëm anarkistë, shpërfillës për kushtetutën dhe thyerës të ligjeve shtetërore, morën si përfundim stigmën e turpit.
Po të shkojmë nga historia te memorialistika dinjitoze, vijmë te kapitulli i zhgënjimit të komunistëve në Belgjikë. Një dinjitar i lartë belg i asaj periudhe të vështirë gjatë pushtimit gjerman dhe fill pas çlirimit, bënte skeda për takimet me njerëzit në audiencë. (Këtë e kishte vënë ré edhe Dr. Temo, që banonte prej kohësh si mërgimtar në Rumani, kur pati një audiencë me mbretin Zogu I, në kohën kur ky i fundit orvatej për Pajtimin Kombëtar të forcave politike të vendit). Le ta citojmë menjëherë skedën që cekëm:
“Brënfó: i gjatë, i fismë, me syze. Deputet i zgjedhur në listën socialiste në Bruksel. U shndërrua në komunist pak përpara luftës. U kap nga gjermanët dhe u internua në Breendonk. U fsheh në një kuvend. Së fundi u deklarua si jashtë çdo partie dhe se do t’i kushtohej atdheut. Mos të flitet për Mr. Martónë (çështje private)”.Na kujtohet Rikard Kapuçinski, çudibërësi i reportazhit politik, që krahasohet me magjistarin e realizmit magjik, Gabriel Garcia Markuezin. Kapuçinski na tregon ç’është komunizmi: “...Por si u ndërtua komunizmi? Komunizmin e ndërtoi Stalini me ndihmën e miliona fëmijëve jetimë, të uritur, këmbëzbathur, që endeshin rrugëve të Rusisë. Vidhnin ç’të mundeshin. Stalini i mbylli nëpër konvikte. Atje mësuan urrejtjen. Kur u rritën, u veshën me uniformat e Komisariatit të popullit për çështjet e Brendshme, që e mbante popullin në një frikë shtazarake. Urdhëro, të lutem shumë: Ja ku e ke komunizmin” (“Imperium”, f.124).
Enverizmi te ne mburrej me “krijimin” e Njeriut të Ri të devotshëm partiak, spiun brenda familjes, mizor ndaj armikut të fantastikuar, shkrehës (detonator) i luftës së klasave, përvetësues i përdhosur i fizionomisë çnjerëzore të Pavlik Morozovit dhe i Lej Fenit. “Ja ku e ke komunizmin”. Deputeti komunist Brenfó e pa komunizmin, kur ra rob në B.S. Dhe mori një vendim: “Do t’i kushtohej Atdheut”. Kurse pjesa e skajshme e nostalgjikëve të pandreqshëm, që i vënë pas E. Ramës, një pjesë me përdhunë (bashkiakët dhe rrogëmarrësit e bashkive të së majtës), bëjnë sikur nuk e dinë ç’është lëvizja e tyre populiste dhe sesa e ndihmon ajo (!) integrimin tonë. Ja, jemi në vigjilje të 16 shtatorit, vendimet e të cilit për luftë të përbashkët kundër pushtuesve u shkelën me këmbë nga emisarët e Titos, siç e provoi përfundimisht Mukja. A do të kemi sërish festën e radhës në Pezë, me apoteozën e Enver Hoxhës, fotot e tij, këngët për të, me ekzaltimet e dehjeve alkoolike (pa përjashtuar edhe drogën) të miturakeve, të miturakëve dhe të xhaketave të vjetra fanatike, një relike e nostalgjisë për diktaturën që i ka mbetur peshqesh vetëm Shqipërisë? A do ta vazhdojë promovimin e shëmtuar në Pezë E. Rama, që kërkon të besohet si me shpirt demokrat, kur dhunën antidemokratike sapo e ka provuar mbi shpinë Lëvizja për Mendimin Ndryshe, përbrenda partisë së tij?
T’i kthehemi përvojës së Belgjikës:
Mbreti Leopold III pati fatkeqësinë të binte rob i gjermanëve, familjarisht. Hitleri nuk e kishte të vështirë, tashmë, që të bënte edhe një bisedim me mbretin. Parlamenti u nda në leopoldistë dhe në kunërshtarë të tij. Gjatë luftës vendin e tij e zuri, si regjent, i vëllai i tij, princi Karl, meqë Boduini s’kishte mbushur moshën.
Regjenca po përfundonte për bukuri dhe përvijohej një e ardhme në unitet dhe në harmoni, fill pas çlirimit. Por të nesërmen në mëngjes gjërat morën një pamje tjetër.
Në një libër të besueshëm kujtimesh, shkruhet: “Shkurtimisht, ministrat u shprehën se gjendja ishte mjaft e keqe. Ata do të donin që Mbreti të abdikonte”. Në kohën e një vizite në korrikun e vitit 1945, Achille Van Acker-i i deklaroi Leopoldit se do të përçonte mjaft dokumente komprometuese në Parlament, nëse mbreti nuk do të pranonte abdikimin; por që ai do t’i digjte në praninë e tij nëse ai do të refuzonte efektivisht fronin. Mbreti nuk e pranoi një propozim të tillë.
...U krijuan klane të partizanëve dhe të kundërshtarëve të Mbretit.
Më 25 prill 1949, në ambasadën e Belgjikës në Bernë, u bë një takim ndërmjet Mbretit dhe Regjentit. Në këtë takim ishin të pranishëm kryeministri Spaak dhe ministri i Drejtësisë Henri Moreau de Melen. Mbreti Leopold nuk e kishte parë të vëllanë prej kohësh. Ata do të kishin dashur një takim vetëm për vetëm. Por, që në fillim, ata ishin të shoqëruar nga dy ministra. “Mjaft dëshmitarë më kanë treguar – vazhdon autori i ditarit, - se ajo që i mungonte atëherë Leopoldit, ishte një takim i ngrohtë dhe i hapur me Karlin, si vëllai me të vëllanë”.
Mbreti Leopold ishte i gatshëm, tashmë, që të vinte menjëherë në Bruksel, por kryeministri Eyskens ka bindjen vetjake se gjërat nuk janë dhe aq të thjeshta. Eyskensi e vlerësonte së tepërmi veprimtarinë e Regjentit Karl, në përkushtimin e këtij të dyfishtë për bashkëveprim me aleatët kundër okupatorit gjerman, por edhe për ruajtjen e monarkisë belge. Kryeministri u orvat për një ujdi, por vështirësitë ishin të shumta. Aq më tepër se në këtë gjendje thuajse kaotike, po mundoheshin të manovronin grupime parlamentare dhe jashtëparlamentare që nuk donin t’ia dinin për respektimin e normave kushtetuese.
Nga i njëjti libër kujtimesh, citojmë: “Kemi të bëjmë me gangsterë të cilët mendojnë që, me militantët e tyre, do të mund të arrijnë gjer në një grusht shteti”.
Vërejmë, edhe me kaq, pjekurinë e politikës belge, në respektimin rigoroz të ligjit dhe të kushtetutës.
***
Do të doja, në përfundim, të shfaqja disa mendime vetjake për Regjencën. Kur princi Karl e pranoi këtë detyrë, ai besonte vërtet se kjo do të ishte e përkohshme. Në njërin ndër takimet, Leopoldi e pyeti Regjentin: “Po ti a nuk je krejtësisht për ne?”. Ishte për princin Karl një pyetje tepër e dhimbshme, sepse ai ndjehesh i detyruar përkundrejt qeverisë dhe Kushtetutës. Ai iu përgjigj: “Unë s’jam aspak kundër teje, por më duhet të respektoj Kushtetutën”.
Përfundimisht, gjithçka u zgjidh në respektim të ligjeve dhe aventurierët rrëmujaxhinj, u ndjenë të vetmuar. Opozita e këtij vendi të shquar, prej të cilit mund të marrim shembull, është konstruktive, në dobi të vendit. Nostalgjia për diktaturën është një dukuri e panjohur. Le të rikujtojmë shembullin e ish-deputetit komunist Brënfó që hoqi dorë nga komunizmi, duke u shprehur se do t’i përkushtohej atdheut.
Te ne, ndjekësit e Ramës, të pakët në numër por të bujshëm, nuk arrijnë të kuptojnë se interesat partiake nuk mund të vihen përmbi interesat e atdheut.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›