Edvini shpall zëvendësen e vet, lë me gisht në gojë Gjinushin e të tjerët
Megjithëse ende s’është përvijuar në detaje Kodi i ri Zgjedhor, e rrjedhimisht as s’është marrë vesh me partnerët e tjerë të së majtës për koalicionet parazgjedhore, Edvini po mendon për ndërtimin e kabinetit të tij hije, me të cilin edhe do t’u paraqitet shqiptarëve në zgjedhje. Burime konfidenciale pranë sekretariatit të PS-së bënë të ditur dje për gazetën ‘55” se në mënyrë surprizë, Edvini e kishte nisur shpalljen për qarqet partiake të kandidaturave me të cilat do të hynte në zgjedhje me emrin e zv/kryeministrit-hije. Në kundërshtim nga mëtuesit e shumtë socialistë, të cilët në epokën Nano ishin mësuar me skemën e qarkullimit nëpër dikasteret qeveritare, Edvini ka shpallur në kuadër të filozofisë së barazisë burrë-grua, grua-burrë, apo burrë-burrë emrin e Lindita Xhillarit për zv/kryeministre të ardhshme, në rast se e majta fiton zgjedhjet. Emri i Lindita Xhillarit nuk është krejt i panjohur për qarqet politike dhe ato të administratës, pasi ajo ka qenë në sferat e larta të administratës në të gjitha pushtetet e rotacionet politike, gjatë 10 viteve të fundit, çka e shtyn Edvinin të mendojë se shumë nga shigjetat helmuese politike do të neutralizohen për shkak të pranisë thuajse konsensuale të Lindita Xhillarit në këto nivele. Me shpalljen e saj para kohe, Edvini synon të paragjykojë që në fillim jo vetëm rezultatin e zgjedhjeve, por pikë së pari të paragjykojë bisedimet për kabinetin hije me drejtuesit e rinj të PS-së, apo me aleatët e rinj të së majtës. Pra s’do të jetë Gjinushi, e as ndonjë publicist a djalkë i G99, por një grua e përzgjedhura si zëvendëse e tij. Përvojë për zgjedhje të papritura kësisoji ai ka treguar edhe në Bashkinë e Tiranës, megjithatë tani duket se ai po kërkon të japë imazhin, jo vetëm për Ilir Metën, të cilin s’e toleron as për kryeministër të së majtës, e as për zëvendës të vetin, por edhe për mëtuesit e vegjël të këtij posti, anëtarë-qurravitës të Grupit Parlamentar Socialist, të cilët duhet të kuptojnë njëherë e mirë se ka marrë fund koha e tyre e nëse do të rikonfirmohen edhe njëherë si parlamentarë, do të ishte suksesi më i madh dhe i fundit i tyre në politikën e epokës së tranzicionit.
Re.po
Re.po