E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me “Shqipëria në NATO” nis për shqiptarët Epoka e Sigurisë

Në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, kryeministri Sali Berisha vizitoi dje qytetin e Pogradecit ku edhe zhvilloi një takim të zgjeruar me banorë të qytetit. Në këtë takim kryeministri deklaroi se për Shqipërinë tashmë nis një epokë e re, që nuk e kemi njohur kurrë më parë, Epoka e Sigurisë. “Më 3 Prill Shqipëria u ftua për në NATO dhe kjo është garancia që kemi marrë për të ardhmen e këtij vendi dhe të fëmijëve tanë,” iu drejtua Berisha banorëve. “Për ne, nis tani një epokë që nuk e kemi njohur kurrë më parë, Epoka e Sigurisë. Ftesa për në NATO, nuk ka qenë e thjeshtë dhe nuk ka ardhur për interesa të askujt tjetër, por nga puna dhe përkushtimi i shqiptarëve dhe mbështetja që u dhanë miqtë e tyre. Shqipëria u pranua në NATO sepse u ka dëshmuar vendeve anëtare të NATO-s, një besnikëri të patundur dhe mbi të gjitha, sepse ndërmori reformat më të thella, së pari kundër krimit, sepse dha dëshmi të qarta se është e vendosur të luftojë korrupsionin, theksoi Berisha. Kreu i qeverisë pranoi se ka ende korrupsion, por shtoi se “ftoj qytetarët të mos harrojnë se dy vjet e gjysmë më parë në qeveri kishte ministra me monopole në treg, ndërsa tani kushdo që përfshihet në korrupsion largohet”. Kryeministri përmendi faktin se “janë shkurtuar me 50 përqind shpenzimet e administratës dhe se viti 2007 nuk ka patur asnjë prokurim direkt. Një zhvillim madhor në luftën kundër korrupsionit është ai për heqjen e imunitetit të deputetëve që ata të jenë të barabartë para ligjit si të gjithë qytetarët, u shpreh Kryeministri Berisha, i cili përshëndeti për këtë nismë edhe bashkëpunimin e opozitës. “Partia Demokratike erdhi në pushtet tre vjet me parë. Në këto tre vjet ajo ka bërë që ky vend të ndryshojë më shumë se kurrë ndonjëherë në historinë e tij. Nga një vend i skajuar, ndaj të cilit fjalën e mirë pothuajse askush nuk e thoshte, për shkak të gjëmave dhe bëmave, të bandave që sundonin në vend, për shkak të korrupsionit që sundonte në vend. Ndërsa sot ky vend merr ftesën për anëtarësim në NATO. Shqipëria sot ka një imazh tjetër. Ajo në këto tre vite dyfishoi numrin e turistëve dhe emri i saj i bë gjithnjë e më i mirënjohur në botë. Shqipëria e cila tre vjet më parë numëronte 52 mijë studentë ka sot 102 mijë studentë dhe së shpejti do të ketë 140 mijë. Ne jemi të vendosur të investojmë në shkollimin tuaj. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për punësimin tuaj, jemi të vendosur të krijojmë në Shqipëri standardet më të mira për biznesin në mënyrë që vendi të zhvillohet me shpejtësi”, deklaroi Berisha. Më tej, Kryeministri u ndal në investimet e parashikuara për infrastrukturën rrugore, arsimin, kompensimet për pensionistët dhe shtresat në nevojë nga rritja e çmimeve. “Do të investohen këtë vit 89 miliard lekë për infrastrukturën rrugore nga Konispoli në Valbonë, dhe të gjitha rrugët e Shqipërisë do të jenë në ndërtim”, theksoi kreu i qeverisë. Shefi i ekzekutivit, vuri në dukje se “kjo qeveri merr përsipër të dyfishojë buxhetin për arsimimin e fëmijëve tanë”. “Në çdo shkollë këtë vit do të finalizojmë projektet për ngritjen e kabinetëve të informatikës, ndërsa në të gjithë Shqipërinë do të futet interneti”, tha ndër të tjera Kryeministri Berisha në takimin me banorët e qytetit të Pogradecit.
Kreu i qeverisë zhvilloi dje edhe një takim me të rinj anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, nga ku 100 prej tyre u anëtarësuan në PD. Gjatë këtij takimi, Kryeministri siguroi se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për shkollimin dhe punësimin më të mirë të të rinjve shqiptarë, duke u krijuar atyre të gjithë hapësirën e nevojshme për realizimin sa më shpejtë të projekteve të tyre. “Anëtarësimi juaj sot në Partinë Demokratike është një ngjarje shumë e madhe, për ju, familjet tuaja dhe të gjithë familjen e madhe të demokratëve shqiptarë, që mezi presin kontributin tuaj, përkushtimin dhe devocionin tuaj për të çuar përpara , projektet e mëdha të zhvillimit, të Pogradecit, të zhvillimit të Shqipërisë, të integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO”, tha kryeministri.
Qeveria do të financojë çdo projekt për modernizimin e qytetit turistik të Pogradecit/Qeveria do të financojë pa u kursyer çdo projekt për përmirësimin dhe modernzimin e infrastrukturës së qytetit të mrekullueshëm të Pogradecit. Kështu është shprehur dje kreu i qeverisë Sali Berisha gjatë vizitës që zhvilloi në qytetin juglindor të Pogradecit, në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”. Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nga autoritet lokale të Pogradecit projektet për investimet e qeverisë në infrastrukturën e këtij qyteti. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e përfundimit të fazës së parë të rrugës industriale, Pogradec, investim i buxhetit të shtetit me vlerë prej 22 milion lekësh. Duke përshëndetur banorët, kryeministri u shpreh se shumë shpejt do të vazhdohet me fazën e dytë të kësaj rruge dhe trotuaret. Kryeministri Berisha garantoi se qeveria do të financojë pa u kursyer çdo projekt për përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës së qytetit të mrekullueshëm të Pogradecit. “I kërkova kryetarit të Bashkisë që të bëjë gati projekte të tjera në mënyrë që qeveria ti financojë ato për të përmirësuar infrastrukturën e këtij qytetit të mrekullueshëm, të qytetarëve të mrekullueshëm që janë kaq mikpritës, punëtorë, të mençur dhe më të gjitha virtytet më të arrira të shqiptarëve”. Në vijim të vizitës së tij në qytetin e Pogradecit, Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve në shëtitoren “Fan Noli”, financim i buxhetit të shtetit me vlerë prej 80 milion lekësh. Kjo shëtitore, u shpreh kryeministri Berisha, që fillon rrëzë malit dhe përfundon tek kampi, i jep Pogradecit, realisht, një pamje të re dhe të bukur, si dhe pushuesve të tij një nga shëtitoret më të bukura të Shqipërisë. Duke theksuar se shëtitorja është një investim shumë i dobishëm për qytetin, Kryeministri u shpreh se janë bërë të gjitha përpjekjet që shëtitorja të jetë gati për qytetarët, në një kohë sa më të shkurtër. “Kryetari i Bashkisë ka marrë të gjitha masat që në fund të qershorit, i cili përkon edhe me kulmin e sezonit turistik në këtë qytet, ta kenë disponibël këtë shëtitore të gjerë, e cila do të jetë e tëra e ndërtuar në pllaka”, tha Kryeministri. Kryeministri tha më tej se qeveria do të ketë përparësi projektet për asfaltimin e rrugëve në këtë qytet, në mënyrë që ky qytet i mrekullueshëm të mos ketë asnjë rrugë të paasfaltuar. “Për Pogradecin është treguar i njëjti interes si për zonat e tjera turistike të vendit. Do të punojmë për kompletimin e një infrastrukture të qëndrueshme dhe moderne si për banorët ashtu dhe për turistët”. Kryeministri u shpreh se është e domosdoshme që në promovimin turistik të vendit, Pogradeci të zero një vend të veçantë, si një qytet me tradita shumë të mira në pritjen e turistëve. “Turistët po vinë gjithnjë e në rritje, prandaj është e domosdoshme që edhe në promovimin turistik të vendit të përfshihet edhe Pogradeci me një traditë të shkëlqyer në pritjen e turistëve”, theksoi më tej kryeministri. Po dje kryeministri mori pjesë në inspektimin e punimeve për ndërtimin e impiantit të pastrimit të ujërave të zeza dhe kolektorit të këtij qyteti. Investimi me vlerë prej 7.8 milion euro, është investim i bankës gjermane KFV. Kryeministri u shpreh se ky investim bëhet në një nga zonat më të rëndësishme turistike të Pogradecit dhe është në vazhdim të modernizimit të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve të Pogradecit me një vlerë totale prej 15 milion eurosh, të investuara nga banka gjermane KFV dhe buxhetit të shtetit. Me këtë investim, u shpreh kryeministri realizohet pjesa kryesore e një projekti të madh, i cili synon të pastrojë liqenin nga të gjitha derdhjet e ujërave të papastra, duke i rikthyer liqenit pastërtinë natyrore që ka. Duke përgëzuar drejtuesit dhe punëtorët e kompanisë ndërtuese, për punimet cilësore dhe vendosmërinë e tyre për ta dorëzuar në një kohë sa më të shkurtër, Kryeministri u shpreh se kjo është një domosdoshmëri e madh për të inkurajuar turizmin në qytetin e bukur të Pogradecit. Duke përfituar nga rasti, Kryeministri përgëzoi fermerët për tokat e sistemuara me kujdes dhe u garantoi atyre se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që të mos cenohet tregu i prodhimeve bujqësore, duke garantuar cilësi për prodhimet e tyre. “Dua të shfrytëzoj këtë rast për të përgëzuar të gjithë fermerët sepse kanë qëndisur tokën , kanë mbjellë grurë dhe kultura të tjera dhe mesa duket do të ketë një vit të mbarë të prodhimit bujqësor sikundër dua ti garantoj se qeveria ka bërë dhe do të bëjë çdo përpjekje që të mos dëmtohet, të mos cenohet tregu por të garantohet cilësi për prodhimet e tyre”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›