Efektet e krizës në Greqi: kthehen 180 mijë emigrantë shqiptarë
Sipas një raporti të fundit nga Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare, të botuar nga shtypi grek, deri tani janë kthyer në Shqipëri rreth 180 mijë shqiptarë.
Në Shqipëri janë kthyer, 18 deri 20% e emigrantëve shqiptarë që prej vitesh jetonin e punonin në Greqi, ndërkohë që vetë Greqia po përcjell një numër profesionistësh dhe të rinjsh, që i largohen krizës ekonomike.
Raporti shpjegon se shkak për këtë kthim në masë të madhe, janë bërë taksat e larta dhe rritja e kostove të jetesës në Greqi, pa harruar edhe papunësinë që ka arritur shifra rekord me 27.4%.
Kriza financiare ka detyruar shqiptarët të largohen nga Greqia për tu riatdhesuar në vendin e tyre, edhe pse pas kaq kohësh nuk e njohin mirë atë. Pas shumë vitesh qëndrimi dhe jetese në Greqi, rikthimi në Shqipëri nuk është i lehtë për ta, thuhet në raport.
Disa vite më parë, autoritetet shqiptare tentuan ta bënin më të lehtë procesin e integrimit për të rinjtë që ktheheshin nga një qëndrim i gjatë në Greqi. Zyrat e emigracionit parashikojnë një ndihmë mujore prej 8 mijë lekë për familje, por vetëm 5% përqind e të riatdhesuarve kanë kërkuar që ta marrin këtë shumë, shpjegon raporti.
Sipas Qendrës së Konkurrueshmërisë, vala e emigrantëve të kthyer pritet që të ushtrojë presion të fortë mbi shërbimet publike në vend, më së shumti mbi sistemin arsimor dhe atë shëndetësor. Shumica e tyre kërkojnë punë në zanatet që kanë mësuar në Greqi dhe kryesisht në bujqësi, ku kanë punuar 25% e tyre.
Shqiptarët e kthyer nga Greqia duhet të përballen me vështirësi të shumta gjatë përshtatjes me rrethanat e reja, ndërkohë që në kostot që e shoqërojnë këtë proces, shtohen edhe problemet psikologjike për shumë prej tyre.