E Shtunë, 31 Tetor 2026

Efektet kuruese të katastrofave

GRIDA DUMA

Përse nuk flasim të gjithë vetëm për kohën e acartë dhe për bllokimin e rrugëve? Si nuk u vjen turp njerëzve nëpër qytetet me rrugët e pabllokuara që vazhdojnë të ndjekin rutinën dhe të bëjnë të njëjtat aktivitete të zakonshme? Përse nuk shkojmë të gjithë atje ku rruga është e bllokuar dhe të lëmë bosh këto të pabllokuarat, e ti bllokojmë ato me prezencën tonë? Nuk kuptoj si mundet të shkojmë e të blejmë produkte në mënyrë të qetë pa qenë të bllokuar, si mundemi të mos vetëbllokohemi, sepse kjo është situata për një pjesë të vendit.
Mund të vijohet kjo tablo absurde deri në një komizëm tragjik, që do të çonte deri aty sa të bënte të kuptonim se situata katastrofale është ajo ndaj së cilës duhet të vrapojmë dhe se jeta duhet të drejtohet vetëm atje dhe asgjë tjetër e realitetit nuk mund të konsiderohet si reale, për sa kohë ka një prioritet.
Por prioriteti nuk është asgjësim i realitetit. Pikërisht ngatërrimi i këtyre kategorive dhe i të ngjashmeve si këto po sjell gjithnjë e më shumë dëme në perceptimin e vërtetë të situatave e, për rrjedhojë, edhe në reagimin e efektshëm ndaj tyre.
Ky perceptim absurd, i tmerrshëm, fatalist, nuk është i ri në atë që media përcjell rëndom përgjatë këtyre ditëve. Duket sikur kushdo që ka sensin e realitetit, diku me dëborë dhe diku pa dëborë, duhet dënuar si sabotatori i shijes së madhe që marrim nga katastrofat.
Një etje e madhe për katastrofa, herezi, nëse nuk je i atraktuar për to. Kaq e vërtetë është kjo, sa përgjatë këtyre ditëve edhe absurdi  tjetër i diskutimit nëpër disa media të shkruara dhe elektronike mbi shtypin rozë, si një ekstrem edhe më paradoksal se ai i aktraktimit pas katastrofave, në të sipërfaqshmen e vet ngatërrohej me bllokimin e rrugëve dhe dëmet e motit të acartë.
Që ky do të ishte reagimi i pritshëm i opozitës, nuk ka asgjë  anormale. Është detyrë e çdo opozite të gjejë gabime dhe aftësi e saj ti krijojë edhe kur nuk janë, apo ti zmadhojë e ngjyrosë të voglat përballë të mëdhave. Kam shkruar më parë për imoralitetin e atij që nuk bën kur ankohet vetëm për tu ankuar e për mjegull, për gabimet e atij që bën e që është i vendosur përballë zgjedhjes së një alternative përkundrejt të tjerave. Kam shkruar e folur dhe më parë publikisht për standardin e dyfishtë hipokrit të analizës së shumë-gjendur në ligjërimet tona, që gjykimin dhe vlerësimin e ngrenë duke pasur si sistem referues vende të zhvilluara të Perëndimit, ndërkohë që jemi të ndërgjegjshëm plotësisht që mjetet dhe burimet në dispozicion janë shumë larg të krahasueshme me vendet e zhvilluara të Perëndimit. E sigurisht që mjetet e burimet i kemi krahasimisht shumë të vogla me vendet perëndimore, e kjo nuk mund të gjykohet si përgjegjësi e ardhur këto dhjetë apo njëzet vite,  si e një klase përkundrejt një tjetre, kjo është pasojë e një historie të gjatë që rrënjët i ka edhe në këto psikologji flirtuese ndaj katastrofave.
Duke përdorur terma të një psikologjie sociale, kjo dashuri komunitare ndaj katastrofave i ngjan një individi të alkoolizuar, të droguar, që pafuqinë apo pamundësinë e  përballimit të një katastrofe të brendshme individuale do ta mbysë me një tjetër katastrofë më të madhe. Jo vetëm kaq, por i ngjan të alkoolizuarit dhe të droguarit edhe në gjendjen postum,  ashtu si i alkoolizuari që është i legjitimuar të marrë kohën e rikuperimit pas alkoolizimit, njësoj edhe këta dashurues katastrofash nuk i largohen dot menjëherë psikozës së katastrofës, madje legjitimohen me këtë.
Gati-gati duket sikur gjatë kësaj situate ka plot të dëshiruar që bllokimi  i rrugëve apo i familjeve nga dëbora të zgjasë sa më shumë. Kjo do të bënte më të vogla të tjera disfata personale, do të mbulonte të tjera hiçe që gëlojnë rëndom e ushqehen duke vegjetuar në të keqen e të tjerëve.
Jeta normale ka vijuar dhe realiteti përgjatë këtyre ditëve ka qenë në kufijtë e normalitetit, shumë emergjenca kritike janë përballuar dhe po vijojnë të përballohen. Që përgjatë këtyre ditëve është folur edhe për të tjera çështje e vendime apo perspektiva vizionare, kjo nuk është mëkat, madje totalisht e kundërta, është tregues i një gjendjeje ekuilibri, që tregon qartësi racionale. Madje, është pikërisht mungesa e këtij racionaliteti pa ngjyrime subjektive, që po dëmton qëndrueshëm organizimin shoqëror tonin, për rrjedhojë, edhe atë politik e ekonomik. Mungesa e profesionalizmit në formësimin e këtyre perceptimeve dëmton shikimin e së vërtetës në jetën tonë.
Sigurisht, këtu nuk i referohem aspak racionalitetit që të ofrojnë formulat matematikore apo fizike, po aq nuk i referohem as subjektivizmit të recetave letrare, këto të gjitha i shërbejnë po aq zhvillimit të shoqërisë, por qeverisja dhe zgjidhjet kërkojnë një racionalitet social. Ky racionalitet bën të mundur të shohësh qartë shoqërinë si një organizëm të gjallë me ligjësitë e veta. Leximi i këtyre ligjësive bëhet vetëm në terma racionalë dhe të ekuilibrit.
Të qenët realist, të kuptuarit të realitetit objektivisht dhe pa syrin e disfatist është aftësi e të paktëve, të reaguarit realisht dhe ndërmarrjes së veprimeve reale, por edhe një qëndrim jo gjithëpërfshirës disfatist por i ekuilibruar, është veti e akoma edhe më të paktëve.
Ekuilibri është një parametër i artë që nuk e zotërojnë shumë, por që është i domosdoshëm së paku për ata që marrin përgjegjësinë ti imponojnë mendime e gjykime shikuesit e njeriut normal- qytetarit.
A është herët ta pretendojmë këtë maturim të një ndërgjegjeje civile dhe profesionale në këtë stad të zhvillimit social që ka ky vend? Kjo do të përbënte një përgjigje shumë sfiduese. Por nëse do ti referoheshim Popper-it, do të përdornim të kundërtën për të vërtetuar tezën, është e sigurt që jemi gjithmonë vonë në çdo moment që kërkojmë të ndërtojmë këtë ndërgjegje.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›