E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjigje ftesës për debat për shëndetësinë

ELTAR DEDA

E quaj me shumë vend dhe në kohën e duhur që të debatosh për shërbimin shëndetësor. Pasi nevoja për ta reformuar atë, si edhe nevoja për të pasur një shërbim shëndetësor gjithmonë e më cilësor dhe të prekur nga shtetasit është imediate.
E vërteta është se të debatosh, do të duhen të dy aktoret e nevojshëm, që janë programi, si edhe njohja e realitetit.
Nuk dua të merrem me atë se çfarë shkroi në fillim të këtij debati kolegu im i maxhorancës, por dua të fokusohem në idetë tona shumë të qarta dhe shumë reformuese për realitetin të cilin ne kërkojmë të ngremë. Vetë nisja e debatit nga ana e kolegëve të maxhorancës do të thotë se programi ynë, i prezantuar në publik, tashmë ka filluar të marrë mendimet e qytetarëve (sidomos të vetë maxhorancës) dhe jemi të vetëdijshëm se mund të arrihet.
Të bësh një reformim të një sistemi thelbësor, nuk do të thotë aspak të mohosh atë punë të bërë në vite e vite, breza të tërë, në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimit, por edhe të përpjekjeve për ta mbajtur këtë sistem në këmbë, kur të tjerët me idetë e tyre radikale, të kthimit në zero, do të kapnin menjëherë majat e cilësisë dhe të standardeve të larta.
E theksova, se të debatosh, duhet të dish dhe të kesh të dy aktorët: realitetin dhe programin.
Për sa i përket realitetit, është ky që ne të gjithë e dimë dhe e përjetojmë. Sistemi ynë shëndetësor është një sistem i mbështetur në spontanitetin e mënyrave të drejtimit, jo mbi politika të qarta, për  të ditur se ku duhet arritur. Një sistem miks, por me pikësynim tërësisht jo publik (për një sy pak të vëmendshëm). Një sistem publik  tërësisht i rrënuar, një vëmendje në tjetër drejtim, pra një sistem katrahure, ku çdokush mundohet të marrë rolin e protagonistit, Don Kishotit.
Jam i detyruar ti them këto, sepse kam qenë gjithmonë i vëmendshëm dhe shumë i ndjeshëm ndaj sistemit shëndetësor. Dhe gjatë gjithë prononcimeve në Parlament, por edhe në media, kam deklaruar se gjithçka që themi ne si opozitë, konsiston në përmirësimin e sistemit. Por jo, ka ndodhur gjithmonë e kundërta, sepse hasnim menjëherë në daljet me slogane, se ne si opozitë dimë vetëm të njollosim dhe nuk e njohim realitetin.
Po të flasësh në lidhje me ato çfarë kemi kërkuar ne, kanë qenë gjithmonë kërkesë reale, me gjendjen në të cilën ndodhen sot spitalet. Mënyra e menaxhimit, si edhe mënyra e trajtimit të pacientit, i cili do të jetë në fund të fundit përfituesi i vetëm.
Spitalet rajonale mundohen të japin shërbim, por duke gëluar në kushtet e mbijetesës dhe të përpjekjeve të personelit të lartë dhe atij të mesëm. Gjendja në të cilën ndodhen këto spitale, mënyra e shërbimit ndaj qytetarit, përpjekjet për të mbajtur këto institucione në këmbë nga ana e vetë personelit për arsye të mospasjes gjendje as të nevojave më elementare (të thëna këto nga ana e vetë personelit dhe vetë pacientëve), mungesa e medikamenteve dhe blerja e tyre jashtë në rrjetin privat. Mungesa e disa shërbimeve, të cilat serviren nga shërbimi privat dhe qytetarit i ofrohet ai lloj shërbimi nga po i njëjti personel. Pajisja me aparatura dhe pamundësia e vënies së tyre në punë nga mungesa e personelit, i cili nuk është në gjendje ti vendosë ato në punë. Nga prania e mungesës së higjienës spitalore, duke sjellë shfaqjen e infeksioneve spitalore të shumta kohët e fundit. Nga mungesa e një strategjie për të dalë nga ky kolaps, si edhe nga korrupsioni galopant, i cili ka përfshirë këtë sistem, i evidentuar nga institucione, të cilat monitorojnë këtë sistem në vendin tonë.
Nga krijimi i një kolapsi në sistemin farmaceutik në drejtim të trajtimit të tij primar, jo si shërbim shëndetësor ndaj qytetarit, por duke e parë atë thjesht si subjekt tregtimi. Një kolaps në drejtim të rritjes se çmimeve në këtë treg, gjë tashmë e vërtetuar dhe pranuar nga ana e qeverisë. Vendosja e TVSH-së së medikamenteve dhe efekti i kësaj takse në rritjen drejtpërdrejt të çmimit dhe rëndesa në xhepat e qytetarëve.
Për të kaluar pastaj në sistemin parësor, ku pacienti has që në fillim në vështirësitë dhe në mungesën e marrjes së këtij shërbimi të nevojshëm, në mungesë të personelit ose edhe në mungesë të së gjithë infrastrukturës së duhur për ta ushtruar këtë sistem.
Hasja e një kalvari të gjatë në shkuarjen e qytetarit deri te dera e spitalit dhe përballja e tij me tarifat 4 deri në 5 fish të miratuara nga ana e qeverisë. Dhe në fund, mbyllja e këtij cikli vuajtjesh,  duke përfunduar në sistemin jo publik.
Sistemi nuk i është i drejtë, sepse nuk u jep mundësi të gjithëve të kenë akses të barabartë. Nuk është prezent njësoj në të gjithë vendin. Për ne nuk është e pranueshme ti thuash dikujt që nuk je pjesë e kujdesit shëndetësor publik, kur ky sistem vetëm 1/5-at e të ardhurave të tij i formon nga kontributet e detyrueshme. Të tjerat i vijnë edhe sot nga taksat e përgjithshme. Sigurisht që një pjesë e parave nga taksat e përgjithshme duhen për kujdesin shëndetësor të fëmijëve, të personave me aftësi të kufizuara dhe të të moshuarve.
Edhe mënyra e sotme ekzistuese e kontributeve shëndetësore të detyrueshme për aktivët është regresive.
Për të vazhduar me qeverinë, që siguron shërbim shëndetësor vetëm për 600 mijë qytetarë, pjesa tjetër është jashtë kësaj skeme.
Për sa i përket pikës se dytë, programit, ne tashme si PS e kemi prezantuar, për politikat dhe rrugët që do ndiqen nga ne, për të arritur efikasitetin e sistemit, gjë e cila na dallon nga maxhoranca. Program, i cili tashmë gjendet në duart e qytetarëve dhe ka ngjallur vërtet një interesim në të gjitha grupet e interesit, sidomos nga ana e punonjësve të sektorit të shëndetësisë. E theksova pak më lart:  përderisa po reagojnë përfaqësuesit e maxhorancës, kjo do të thotë se ne jemi në rrugë të mbarë.
Programi ynë për një rilindje kombëtare është i bazuar në realitetin shqiptar, por i gërshetuar me përvojat më të mira të vendeve me demokraci të zhvilluar. Ky program parashikon dhe ka në themel qytetarin e nevojën për tiu gjendur atij sa më pranë. Sepse, ne në programin tonë parashikojmë një shërbim shëndetësor për të gjithë, gjë e cila nuk do të thotë se ne kemi mentalitet komunist apo nihilist. Jo, ne në programin tonë kemi parashikuar dhe menduar për 95% të shqiptarëve dhe jo vetëm për 5% të atyre që mund ta marrin shërbimin shëndetësor edhe te privati. Shërbimi kombëtar shëndetësor me mbulim universal është parimi themelor ku ndryshojmë ne nga maxhoranca aktuale. Kundërshtimi juaj është normal, sepse filozofia e PS është tërësisht në kundërshti me filozofinë tuaj. Do të jenë mekanizmat ekonomikë dhe financiarë, të cilët do të mund të rregullojnë më tej të gjithë kuadrin e këtij sistemi, të cilin ne e kemi mbështetur në atë të vendeve me përvojë dhe me demokraci të zhvilluar.
Në fund dua të theksoj se programi ynë është mbështetur në realitetin shqiptar, ku edhe do të gjejë zbatim, kurse idetë e përfaqësuesit të maxhorancës nuk di se ku mund të zbatohen.
*Deputet i PS

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›