Egjipt, 5 të vdekur e 240 të plagosur

Të paktën 5 persona kanë vdekur dhe 246 të tjerë janë plagosur në aktet e dhunës të verifikuara të premten në Egjipt, bën të ditur Ministria lokale e Shëndetësisë.
Së shpejti pritet të shpallet zyrtarisht vendosja e shtetrrethimit. Zëra të pakonfirmuar sugjerojnë se forcat e armatosura do të shpërndajnë një komunikatë në të cilën mund të vendosin shtetrrethimin për të reduktuar dhunën në të gjithë vendin.
Përleshje po zhvillohen mes protestuesve pro dhe anti Morsi në sheshin Tahrir në Kajro. Mbështetësit e presidentit të rrëzuar egjiptian i janë afruar sheshit nga një kalim i mbivendosur, nga i cili po gjuajnë me gurë, ndërsa një makine i është vënë flaka.
Ndërkohë, presidenti i përkohshëm Adly Mansour ka shkrirë dhomën e lartë të Parlamentit, bën të ditur televizioni shtetëror egjiptian, sipas të cilit kreu i shtetit ka emëruar edhe shefin e ri të shërbimeve sekrete.
Mansour ka emëruar Mohamed Ahmed Farid në vend të Mohamed Raafat Shehata, që ishte emëruar nga presidenti i rrëzuar Mohamed Morsi. Shehata do të bëhet këshilltar i presidentit.
Ndërkohë, Vllazëria Myslimane ka përgënjeshtruar lajmin për arrestimin e liderit të saj shpirtëror, Mohamed Badie. Sipas grupimit me prirje islamike, Badie i është drejtuar protestuesve pro Morsit nga podiumi i xhamisë.
Agjencia “Mena” bën të ditur se ka qenë Helmi el Gazzar, eksponent i rëndësishëm i lëvizjes, që ka bërë thirrje për dhunë dhe që është transferuar në burgun e Torës, në Kajro, bashkë me dy bashkëpunëtorë të tjerë./Indeksonline/