E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt Mubarak mund te ike shpejt

Protestat popullore në Egjipt mund të përfundojnë së shpejti, pasi presidenti egjiptian Hosni Mubarak mund të largohet nga posti që mban prej 30 vjetësh dhe të transferojë pushtetin tek zëvendësi i tij, Omar Suleiman. Një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, i ka thënë BBC-së se shpresohet që Mubarak të kalojë pushtetin tek zëvendëspresidenti Suleiman.

Hossan Badrawi, sekretari i përgjithshëm i Partisë Nacionale Demokratike, tha se Mubarak ka shumë gjasa të flasë me kombin gjatë mbrëmjes. Komentet e tij vijnë pasi kryeministri egjiptian, Ahmed Shafiq i kishte thënë BBC në gjuhën arabe, se është duke u diskutuar skenari I largimit nga posti të presidentit Mubarak.

Më herët, Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj Egjiptit për t'i përshpejtuar ndryshimet politike. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs tha se Uashingtoni po pret hapa "realë dhe konkretë" për ta transferuar pushtetin nga 82 vjeçari Hosni Mubarak.

Presidenti Barak Obama e ka përforcuar këtë mesazh në një bisedë telefonike me Mbretin Abdullah të Arabisë Saudite Obama e ka theksuar nevojën për "hapa të menjëhershëm drejt tranzicionit të rregullt, i cili do të ishte kuptimplotë, i qëndrueshëm, legjitim dhe i përgjegjshëm", njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Shoferët e autobusave dhe punëtorët e transportit publik në Kajro i janë bashkangjitur, ndërkohë mijëra punonjësve të sektorit shtetëror që janë hedhur në grevë për të protestuar kundër vështirësive ekonomike.

Greva e punëtorëve vjen në kohën kur sheshi Tahrir në Kajro vazhdon të mbetet epiqendra e protestave dy javore kundër presidentit Mubarak. Ministri i jashtëm, Ahmed Abul Geit, në një intervistë për televizionin Al-Arabija tha se ushtria mund të ndërhyjë nëse "aventurierët" marrin në dorë procesin e reformave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›