E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosove shtyhet formimi i qeverise. Parlamenti konstituohet me 24 shkurt

Përvjetori i tretë i pavarësisë do ta gjejë Kosovën pa institucione të reja. Pa President të zgjedhur, pa konstituimin e Kuvendit të ri dhe me kryeministër në detyrë. Presidenti në detyrë i Kosovës. Jakup Krasniqi tha pas takimit që pati me përfaqësuesit e partive politike, se seanca konstituive do të mbahet më 24 shkurt, disa ditë pas përvjetorit të pavarësisë.

“Ne me dëshirën më të madhe do të dëshironim që Kosova t’i kishte institucionet e reja, por realiteti është i tillë dhe ne dëshirojmë që konstituimin e këtyre institucioneve ta bëjmë brenda afatit kushtetues, dhe këtë po e bëjmë. Është e rëndësishme që shkurti, unë besoj shumë, do ta përmbyllë formimin e institucioneve” tha Krasniqi.

Refuzimi i AAK-së me të cilën PDK kishte shpresuar shumë se do të arrijë marrëveshje koalicioni, duke i ofruar gjysmën e ministrive dhe posteve tjera ka ndikuar edhe në shtyrjen e konstituimit të institucioneve të reja. Mediat në Prishtinë raportojnë edhe për tensione brenda partisë më të madhe në vend për shkak të ambicieve të shprehura nga Jakup Krasniqi për postin e presidentit, detyrë të cilën e ka ushtruar që nga dorëheqje e ish Presidentit Sejdiu. I pyetur se a gëzon mbështetje brenda partisë për t’u zgjedhur President, Krasniqi u shpreh:  “E rëndësishme është që Kosova do t’i ketë institucionet e veta që kanë dalë nga këto zgjedhje dhe besoj se secili vend do të jetë adekuat për njerëzit që meritojnë të jenë në krye të institucioneve dhe ta udhëheqin vendin”.

Forumet më të larta të PDK do të mblidhen sot, për herë të parë pas zgjedhjeve, për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja. Kreu i kësaj partie Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me liderin e AKR-së Behgjet Pacolli me të cilin rënë dakord që të punojnë së bashku për krijimin e qeverisë, por pa arritur një marrëveshje konkrete. Tani PDK, e cila ka 34 deputetë synon të krijojë qeverinë me AKR që ka tetë deputetë, Listën Rugova e cila aktualisht ka vetëm një deputet dhe me  rreth 21 deputetë nga radhët e minoriteteve të cilët janë shprehur të gatshme për të qenë pjesë e qeverisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›