Egjipt: Mubarak thirret në Prokurori, mohon korrupsionin
Ish-Presidenti egjiptian, Hosni Mubarak, është thirrur nga Prokuroria e Shtetit për tu marrë në pyetje mbi akuzat që rëndojnë mbi të: korrupsion dhe vrasja e protestuesve. Njoftimi për ta thirrur atë në hetim erdhi menjëherë pasi Mubarak bëri deklaratën e parë mediatike, që kur u rrëzua nga pushteti rreth dy muaj më parë, duke i mohuar akuzat për korrupsion. Ish-lideri tha se ai duhej të mbronte reputacionin e tij dhe mohoi të kishte asete në vende të huaja. Edhe djemtë e Mubarakut, Gamal dhe Alaa, janë thirrur për tu marrë në pyetje. Sipas prokurorit të Përgjithshëm egjiptian, deklarata e Mubarakut në televizionin al-Arabiya, nuk do të merret parasysh dhe as nuk do të ndikojë në hetim. Të premten, sheshi Tahrir i Egjiptit u mbush sërish me protestues, të cilët kërkonin që Mubarak dhe familja e tij të gjykoheshin për korrupsion. Dy persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur trupat ushtarake ndërhynë në orët e para të mëngjesit të së shtunës për të pastruar sheshin. Ushtria e ka mohuar përdorimin e plumbave. Asetet e familjes Mubarak të shpërndara nëpër botë mendohet se janë deri në 70 miliardë dollarë.