E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt, opozita hyn në bisedime për zgjidhjen e krizës

Grupi kryesor i opozitës, Vëllazëria Myslimane, i ka kërkuar qeverisë që të pranojë kërkesat e popullit. Mohammed Mursi, një nga liderët kryesorë të Vëllazërisë Myslimane, theksoi se grupi i negociatorëve mbështet kushtin kryesor të opozitës që Presidenti duhet të largohet menjëherë.

Kjo është hera e parë që qeveria dhe lëvizja e ndaluar e Vëllazërisë Myslimane hyjnë në bisedime.

Opozita i ka kërkuar Mubarakut që të japë dorëheqjen menjëherë por ai thekson se një largim i menjëhershëm mund të shkaktonte kaos në vend. Ai ka theksuar se do të qëndrojë në pushtet deri pas zgjedhjeve presidenciale të shtatorit.

Gjatë dy javëve të fundit turma të mëdha njerëzish kanë mbushur rrugët e qyteteve kryesore të Egjiptit në përpjekje për të larguar Presidentin e vendit, në pushtet prej më shumë se 30 vitesh.

Grupi opozitar hyri në bisedime me zv/presidentin e vendit, Omar Suleiman, teksa protestat kanë hyrë në ditën e tyre të trembëdhjetë. Përveç Vëllazërisë Myslimane në bisedime kanë hyrë edhe parti të tjera opozitare.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-02-06 13:22
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›