E Diel, 1 Nëntor 2026

Egjiptianet votojne votimi i pare ne epoken post Mubarak

Egjiptianët u drejtohen për herë të parë kutive të votimit në epokën post Mubarak. Mbarë vendi është thirrur të marrë pjesë në referendumin mbi ndryshimet kushtetuese. Armata ushtarake, e cila ka marrë drejtimin e vendit pas përmbysjes së Hosni Mubarakut, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në masë duke thënë se qëllimi i referendumit është krijimi i një klime të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare dhe presidenciale.

Vëllazëria Myslimane, e cila pretendon mbështetje të konsiderueshme në mesin e egjiptianëve, thotë se i mbështet amendamentet e reja. Por, mbështetësit e reformave demokratike, përfshirë fituesin e Çmimit Nobel, Muhamed El-Baradei, kanë kërkuar bojkotin e këtij votimi, duke thënë se ndryshimet kushtetuese nuk shkojnë aq larg sa të reformojnë sistemin politik të Egjiptit.

Kundërshtarët e referendumit duan që Kushtetuta të rishkruhet tërësisht, ndërsa kërkojnë më shumë kohë për organizimin e partive politike para zgjedhjeve. Në referendumin që mbahet ndër ndryshimet e propozuara është reduktimi i mandatit presidencial në 4 vjet dhe e drejtë për të udhëhequr në vetëm dy mandate presidenciale, si dhe kritere të reja për presidentin të tilla si të jetë mbi 40 vjec dhe i martuar me shtetase egjiptiane.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›