E Hënë, 2 Nëntor 2026

Egnatia shkruan historinë, kampione për herë të dytë

Egnatia ka shkruar një tjetër kapitull në historinë e futbollit shqiptar, duke fituar titullin e dytë kampion, falë fitores 4-0 kundër Vllaznisë në Arenën Kombëtare në Tiranë me dy gola nga Lushkja dhe një nga zëvendësuesi i tij Melo dhe një nga Ujka. Skuadra rrogozhinase konfirmohet si më e mira e tre viteve të fundit në Shqipëri, me dy tituj kampionë, dy Kupa dhe një Superkupë.

Superioriteti i Egnatias ishte i qartë që nga fillimi dhe goli i avantazhit erdhi shumë shpejt. Në minutën e 6-të, Bakayoko shkon në fundore dhe pason te Lushkja që gjuan dhe mposht Jukajn. Shkodranët iu afruan menjëherë barazimit, me një goditje të lirë të shkëlqyer nga Balaj, por topi u përplas në vendin ku bashkohen shtyllat e portës së Dajsinanit.

Dy minuta më pas, Stojanoviç bën një kthim të rrezikshëm të topit dhe Jukaj zgjidh situatën, megjithatë Vllaznia duket e tronditur dhe Egnatia dominon mesfushën, pa i lënë kuqeblutë të dalin në lojën e tyre. Vetëm në minutën e 29-të është Qato që gjuan nga e majta, pa gjetur kuadratin. Në të 34-tën, Vllaznia kërkon penallti, për goditje të Malës në zonë, por Marciniak i bën të ditur lojtarit shkodran që nuk ishte penallti, edhe pse pamjet tregojnë prekje të gjurit me taka. Më pas, është Lushkja që në hyrje të zonës gjuan mbi tra.

Nisja e pjesës së dytë është fotokopje e së parës, me një tjetër gol të shpejtë. Kasa del në aksion nga e djathta, pason te Ujka dhe ky nga fundorja jep një krosim të ulët për Lushkjen që gjuan saktë me kokë dhe 2-0. Goli i pestë i Lushkjes në këtë sezon kundër Vllaznisë, duke e pasur gjahun e preferuar. Është minuta e 49-të, dhe Egnatia duket e sigurt në rrugën e titullit.

Shkodranët duan minuta të tëra të marrin veten dhe vetëm në 20 të fundit kuptojnë se nuk kanë asgjë për të humbur. Përpiqet Mensah të bëjë diçka, por në dy raste, në minutat 69’ e 75’ ndalet nga Dajsinani. Në minutën e 82-të, as shkodrani më optimist nuk mund të ketë më iluzione, teksa Egnatia shënon edhe te tretin, me Melon, që zëvendësoi Lushkjen.

Minutat e mbetura janë vetëm formalitet, por para se polaku Marciniak të vërshellejë fundin, vjen edhe goli i katërt, pas një kundërsulmi nga e majta, me anë të Ujkës. Një fitore e merituar e djemve të Eldir Tetovës, përballë një kundërshtari që nuk dha asgjë, shumë larg traditës dhe pretendimeve.

Egnatia fiton titullin e dytë dhe barazohet me Elbasanin e Teutën në librin e artë, duke lënë pas Kukësin e Flamurtarin.

VLLAZNIA-EGNATIA 0-4

Shënues: Lushkja 6’, 49’, Melo 82′, Ujka 90’+4

Mbyllet sfida, Egnatia ka mposhtur Vllazninë me rezultatin 4-0 dhe shpallet kampione e Shqipërisë për herë të dytë radhazi.  

82’ – Gooooool! Egnatia nuk përmbahet, Melo ka shënuar dhe golin e tretë përballë Vllaznisë në “Arena Kombëtare”

75’ – Tentativë e Mensah, por Dajsinani është i sigurtë me ndërhyrjen e tij.   

71’ – Moment i rrezikshëm në zonën rrogozhinase. Një gabim i prapavijës i ka dhënë mundësi skuadrës shkodrane të tentojë portën, por pa arritur të gjejë goditjen fituese.   

69’ – Mensah lëshon një goditje të rrezikshme nga distanca, por portieri i rrogozhinasve, Dajsinani tregohet i vemndshëm duke pritur topin.  

66’ – Aksion i bukur i rrogozhinasve me Ujkan që ka shërbyer për Lushkjan, por ky i fundit është vonuar duke i dhënë mundësinë mbrojtjes shkodrane të evitojë rrezikun.

49’ – Goooool, Egnatia ka dyfishuar shifrat përballë Vllaznisë. Është përsëri Lushkja që ka goditur saktësisht me kokë duke mposhtur portierin Jukaj.

Nis pjesa e dytë…

Është mbyllur pjesa e parë në “Arena Kombëtare” mes Vllaznisë dhe Egnatias, me rrogozhinasit në avantazhin e një goli të shënuar nga Lushkja.

34’ – Mala ka marrë një goditje në zonën rrogozhinase, por për Marciniak gjithçka është e rregullt.

30 ‘ –Nga njëra portë në tjetrën, Qato në një pozicion të prirët ka tentuar portën rrogozhinase, por pa rezultat.

29’ – Lushkja ka tentuar me kokë pas ekzekutimit të një goditje këndi, por pa arritur të gjejë kuadratin.

27’ – Vllaznia në kundërsulm, Dodaj bie në zonën e rrogozhinasve, por për gjyqtarin e sfidës gjithçka është e rregullt.

17’ – Aksion i bukur i Egnatias, Zejnullai ka tentuar me një gjuajtje, por topi është devijuar për në goditje këndi.

10’ – Stojanoviç nuk kuptohet me portierin Jukaj, moment i rrezikshëm në zonën shkodrane.

8’ – Balaj ka ekzekutuar në mënyrë mjeshtërore një goditje dënimi, por është ndalur nga shtylla

6’ – Egnatia ka kaluar në avantazh përballë Vllaznisë, Bakajoko ka bërë gjithçka në mënyrën e duhur në zonën shkodrane, Lushkja ka përfituar për të dërguar topin në rrjetë.

Ka nisur sfida në “Arena Kombëtare” mes Vllaznisë dhe Egnatia ku do të përcaktohet dhe skuadra kampione për sezonin 2024/2025.

VLLAZNIA-EGNATIA

VLLAZNIA: Jukaj, Gurishta, Repaj, Stojanoviç, Jago, Krymi, Qato, Dodaj, Mala, Gruda, Balaj. Trajner: Tomas Brdariç

EGNATIA: Dajsinani, Xhemajli, Sota, Alijev, Fangaj, Aleksi, Zejnullai, Ujka, Fernando, Lushkja, Bakajoko. Trajner: Edlir Tetova

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›