Ehud Barak kërcënohet me vdekje
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, ka pranuar me dhjetëra kërcënime me vdekje nga personat, të cilët frikësohen se kolonitë hebrenje në Bregun Perëndimor do të mbyllen, ka deklaruar sot një zyrtar i mbrojtjes.
Në nëntor të vitit të kaluar, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, hidhëroi kolonët, pasi që urdhëroi ngrirjen e pjesërishme të aktiviteteve nëpër koloni, me një kohëzgjatje prej 10 muaj, në kuadër të përpjekjeve të Izraelit për të bindur palestinezët që të kthehen në tavolinën e bisedimeve.
“Me dhjetëra kërcënime i kemi marrë gjatë javëve të kaluara në adresë të Ministrit të Mbrojtjes”, deklaroi zyrtari, i cili deshi të mbetet anonim.
Kërcënimet në adresë të Barakut ndërlidhen me fatin e kolonive në Bregun Perëndimor, shtoi ky zyrtar, duke shtuar se për shkak të këtyre kërcënimeve janë shtuar edhe masat e sigurisë.
Rreth 500 milionë kolonë hebrenj jetojnë në tokat në Bregun Perëndimor, të cilat palestinezët i kërkojnë për shtetin e tyre të ardhshëm.
Shërbimi i brendshëm izraelit i inteligjencës, Shin Bet, ka një departament të veçantë, i cili gjurmon kërcënimet potenciale nga ana e hebrenjve ultra-ortodoksë.