Bëjnë zbritje

Një absurd ndodh me kulturën e Kosovës dhe atë në vitin 2010.
Gjatë çdo viti buxheti i një departamenti pëson ngritje, ndërsa e kundërta ndodh me buxhetin e Departamentit të Kulturës brenda Ministrisë së Kulturës.
Buxheti i tërësishëm i këtij departamenti, nëse flasim në shuma të sakta për vitin 2010, do të jetë: 5.744.805.
Kjo shumë është afro 1 milion më pak se vitin e kaluar. Buxheti i Departamentit të Kulturës për vitin 2009 ishte 6. 794. 572.
Arsyetim i Ministrisë së Kulturës për këtë zbritje thuhet të jetë ajo se brenda kompetencës së Ministrisë së Kulturës nuk janë më 8 biblioteka dhe 4 teatro profesioniste, të cilat u janë kaluar komunave. Me “ikjen” e këtyre institucioneve ka ikur edhe buxheti.
Se ku është faji, në Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Kulturës apo edhe Ministrinë e Financave kjo gjë nuk dihet pasi kultura e Kosovës nga çdo qeveri e Kosovës është anashkaluar duke pasur njërin prej buxheteve më të varfër.
“Për të gjitha kategoritë e Departamentit të Kulturës 5,744,805 €, për subvencione 2,146,813 €, për investime kapitale (trashëgimia kulturore, artet skenike, pamore dhe muzikore) 2,954,325 €”, shpjegon Arbërore Riza, këshilltare dhe zëdhënëse e Ministrit Beqiri.
Por si do të ndahen këto mjete buxhetore për secilin institucion dhe për sa do të jetë kjo rritje nga viti i kaluar, kjo ende nuk është bërë e ditur nga Ministria e Kulturës.
Kërkesat e institucioneve janë dyfishuar madje edhe janë trefishuar për vitin 2010.
“Jemi në fazën përfundimtare të planifikimit për ndarje të buxhetit për institucionet kulturore të MKRS-së”, tha Riza.
Gjatë vitit të kaluar Ministria e Kulturës pati ndarë rreth 150 mijë euro për përkrahjen e projekteve që patën konkurruar dhe janë përzgjedhur. Ndërsa me ndarjen e re buxhetore po planifikohet që kjo shumë të dyfishohet, kështu së paku thuhet nga Ministria e Kulturës.
“Bazuar në kërkesat e vitit të kaluar dhe mundësitë buxhetore që ka MKRS, edhe për vitin 2010, buxheti për mbështetje të projekteve në kuadër të konkursit do të jetë mbi 300 mijë €. Mirëpo do të shikohet mundësia e mbështetjes edhe me rishikim të buxhetit. Konkursi është ende i hapur dhe pas mbylljes së këtij konkursi do të bëhet vlerësimi i projekteve. Ndërsa nga ky vit duket se Ministria e Kulturës nuk do t’i qelepirojë disa mijëra euro.
Në barë të kësaj Ministrie nuk do të jenë më drejtuesit e teatrove profesioniste, pasi ato tashmë janë kompetencë e vet komunave. Megjithatë, nuk kanë mbetur mjete brenda MK-së apo më mirë të themi brenda Departamentit të Kulturës.
“Kjo çështje do të sqarohet dhe do të përcaktohet pas vendimit për ndarjen e buxhetit. Megjithatë, sipas marrëveshjes për mirëkuptim, të nënshkruar ndërmjet MKRS-së, MEF-it, MAPL dhe komunave, kompetencat për teatrot e qyteteve tashmë janë deleguar nën nivel komunal”, shpjegon Riza.
Reagimet
Mehmet Kraja, shkrimtar dhe publicist - “Faqja e zezë, është situatë e turpshme, nuk ka koment tjetër. Institucionet e kulturës janë katastrofë, janë në një gjendje të keqe, nuk ka asgjë, si pasojë e kësaj politike kulturore. Kështu që nuk mund të presupozohet për ndonjë ndryshim gjatë këtij viti me një buxhet të tillë, por edhe sikur të ishte buxheti nuk ka vullnet dhe as forca të tilla që në këtë qeverisje apo tjetër të ketë ndryshim. Nuk e di pse nuk po e mbyllin këtë ministri”, tha Kraja për Express.
Burbuqe Berisha, drejtoresh e TKK ka kërkuar një buxhet prej afro 600 mijë euro për Teatrin Kombëtar të Kosovës për vitin. Vetëm për skenën e madhe të TKK-së ajo ka kërkuar një buxhet prej 400 mijë eurosh dhe sipas saj nëse institucioni i saj nuk ka këtë shumë, atëherë nuk mund të pres kualitet brenda vetes. Për skenën e vogël ajo ka kërkuar 30 mijë euro, për riaktivizim të kontratave të shfaqjeve të suksesshme 20 mijë euro, për festivalin e teatrove 90 mijë euro dhe 80 mijë euro për mjete transportuese.
“Unë kam kërkuar për skenën e madhe 400 mijë euro. Ajo është minimumi i minimumit nëse duam të bëjmë shfaqje në TKK po flas për shfaqje kapitale, sepse ne mund të bëjmë shfaqje dhe ta kemi konkurrencë teatrin “Oda” ose “Dodona” që në fakt kanë kapacitet më të vogël edhe pse ato teatro kanë vlerë të nivelit artistik por kanë kapacitet më të vogël”, tha Berisha për Express.
Por si e komentoni zbritjen e Departamentit të Kulturës?
“Nuk po e komentoj në mënyrën më të mirë për arsye se gjithmonë ne po jemi të ndëshkuar. Në fakt kultura nuk ishte dashur të ndëshkohet me zbritje por me rritje dhe avancim pasi kultura është shumë reprezentative edhe për pjesën politike. Nëse mendohet në atë mënyrë atëherë duhet ti rritet”, tha Berisha. Ajo thotë se për këtë zbritje mund t’i ketë fajet Ministria e Financave e jo Ministria e Kulturës.