Ekipet Sportive në Shkolla, kryhet kontrolli mjekësor i fëmijëve pjesëmarrës

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Grupi i mjekëve të Projektit Ekipet Sportive në Shkolla po vijon procesin e matjeve mediko-morfo-funksionale të të gjithë fëmijëve që janë pjesë e edicionit të 4-t.
Procesin e ka ndjekur nga afër edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, që e ka cilësuar themelor këtë proces për të gjithë fëmijët.
Ai theksoi se kështu ndiqet në mënyrë të kontrolluar rritja e tyre fizike dhe parandalohen në kohë anomali të padëshirueshme.
Ylli ka qenë i pranishëm në disa shkolla të kryeqytetit, ku është kryer procesi i matjeve dhe ku ka patur mundësinë të flasë për detaje me mjekët dhe mësuesit.
Mbi 12 mijë nxënës do të jenë pjesë e programit të ekipeve sportive në shkolla për vitin shkollor 2025-2026.
Këtë vit ky program përfshin për herë të parë, përveç basketbollit dhe volejbollit, edhe shahun.
Kampionati i Ekipeve Sportive në shkolla është një bashkëpunim i MAS dhe KOKSH që ka rikthyer masivisht frymën sportive tek të rinjtë.
Në programin e ekipeve sportive në shkolla vitin e kaluar shkollor u angazhuan më shumë se 12 mijë fëmijë, 800 ekipe të basketbollit dhe volejbollit për vajza e djem dhe më shumë se 400 mësues të edukimit fizik.
/gj.m/r.e/a.f/