BRUKSEL – Udhëheqësit e Parlamentit Evropian refuzojnë propozimin për buxhetin prej triliona eurosh

BRUKSEL, 30 tetor /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit e grupeve kryesore politike në Parlamentin Evropian i kanë thënë presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një letër të përbashkët, se e refuzojnë pjesërisht propozimin e saj për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të Bashkimit Evropian për vitet 2028-34.
Në letrën e dërguar sot, ligjvënësit e lartë të BE-së shprehin keqardhje që propozimi i komisionit, i paraqitur në korrik, nuk mori parasysh qëndrimin e parlamentit për ruajtjen e rolit të politikës rajonale dhe fjalën e parlamentit në vendimet për shpenzimet.
“Parlamenti Evropian nuk mund ta pranojë këtë si bazë për fillimin e negociatave”, thuhej në letrën e nënshkruar nga udhëheqësit e konservatorëve, social-demokratëve, liberalëve, të gjelbërve dhe ligjvënësve të tjerë të lartë që punojnë në këtë dosje.
Buxheti i BE-së, i quajtur korniza financiare shumëvjeçare, përcakton prioritetet e politikave të bllokut për vitet e ardhshme dhe sa para ndahen në fusha të ndryshme.
Propozimi do të debatohet dhe ndryshohet nga shtetet anëtare të BE-së, përpara se Parlamenti Evropian ta miratojë atë.
Komisioni synon të reformojë buxhetin prej triliona eurosh duke u përqendruar më shumë në shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe konkurrueshmërinë, duke shtuar burime të reja të ardhurash dhe duke ndryshuar kriteret e financimit.
Sipas propozimit, buxheti i ardhshëm shumëvjeçar duhet të arrijë në rreth dy trilionë euro (2,3 trilionë dollarë), që është afërsisht 700 miliardë euro më shumë sesa vlerësohet aktualisht për periudhën aktuale buxhetore shtatëvjeçare.
Nënshkruesit e letrës kritikojnë faktin se në vend që të ndahen paratë në disa fonde të veçanta, çdo vend i BE-së do të dalë me plane individuale shpenzimesh në periudhën e ardhshme buxhetore.
”Kjo mund të çojë në shuma të mëdha parash që nuk ndahen në mënyrë transparente, duke shkaktuar çekuilibra”, thuhet në letër./ a.jor.