Ekipet shqiptare njohin sot rivalët në Evropë
TIRANE- Ekipet shqiptare Skënderbeu, Flamurtari, Vllaznia dhe Tirana, do të njihen sot me kundërshtarët e tyre në Kupat e Evropës. Në Nion të Zvicrës, UEFA do të hedhë shortin për fazën paraeliminatore, që do të nisë pas dy javësh me ndeshjet e Europa League. Për Skënderbeun, ekipi që do të përfaqësojë Shqipërinë në Champions League, kundërshtarët duken nga më të fortët, tek ata më të pranueshmit. Kështu, emra si Bate Borisov, Dinamo Zagreb, Partizan i Beogradit apo Rozenborg, mbeten të frikshëm për kampionët e Shqipërisë. Ndërsa skuadra të tjera si Zestafoni i Gjeorgjisë, Shamrok Rovers i Irlandës apo Visla Krakovia e Polonisë, nuk hyjnë tek skuadrat elitare. Përsa i përket Tiranës, skuadrës fituese të Kupës, ajo do të luajë në turin e dytë të Europa League. Bardheblutë gjen-den në një vazo ku mund të përballen me emra të shumta, por më të rrezikshmit mbeten Fulham i Anglisë, Salzburgu i Austrisë, Gaz Metan i Rumanisë apo Makabi Tel Aviv i Izraelit dhe Elfsborgu i Suedisë. Kundërshtarë pak a shumë të njëjtë edhe për Flamurtarin e Vllazninë, që do ta nisin në turin e parë. Përpos emrave, ekipet shqiptare mbeten ende në nivelet më të ulta përsa i përket përfaqësimit në Evropë. Thuajse çdo vit ata pësojnë humbje me goleada, madje edhe nga kundërshtarë të dorës së dytë. Një tregues se profesionalizmi në Shqipëri është ende larg në futbollin e klubeve. Veç kësaj, pjesëmarrjet në Evropë janë shoqëruar shpesh me akuza dhe hetime për çështje trukimesh.
(s.g/gsh/BalkanWeb)
(s.g/gsh/BalkanWeb)