E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, mungesa e ujit të pijshëm, shkak për epidemi

ELBASAN- Prej tre javësh rreth 800 banotë të fshatit Hajdaran të komunës Shushicë në rrethin e Elbasanit vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Ky ka qenë edhe shkaku i një proteste zhvilluar sot në qendër të fshatit, ku banorët u shprehen se mungesa e ujit të pijshëm, si edhe ndotja e tij, po shkakton epidemi kryesisht tek fëmijët. Sipas tyre edhe pse pagesat e ujit të pijshëm i kryejnë rregullisht, mungesa është kthyer në një makth për ta.

Kryeplaku i fshatit, Avni Hida, tha se, “shkak për mungesën e furnizimit me ujë, është bërë një difekt tenik në pompën e furnizimit të ujësjellësit, e cila është djegur disa javë më parë nga rrufeja”. Por banorët shprehen se duke konsumuar ujin e pijshëm i cili vjen një orë në ditë dhe i ndotur ditët e fundit ka pasur shumë raste të shpërthimit të vatrave të epidemive.

“Fëmijët nga konsumimi i uji të pijshëm, prej disa ditësh kanë diarre dhe të vjella, pasi janë infektuar nga virusi i dizanterisë” shprehet kryetari i fshatit. Hida shton se, “problemi është ngritur disa herë pranë Ndërmarrjes së Ujësjellësit Fshat sh.a, por kjo e fundit ia hedh fajin CEZ Shpërndarjes, ku pretendohet se nuk është vendosur pompa e duhur. CEZ Shpërndarja shprehet se ndaj ndërmarrjes së ujësjellësit nuk ka ankesa dhe çdo gjë është në rregull”.

Thuajse prej tre javësh banorët e fshatit marrin ujë ne puset apo burimet pranë zonës, ujë i cili nuk garanton siguri për shëndetin. Madje banorët paguajnë edhe fqinjët që kanë puse, për energjinë e harxhuar sepse uji del në sipërfaqe me anë të përdorimit të pompave.

Në shenjë proteste banorët deklarojnë se nëse problemi nuk gjen zgjidhje, atëherë do të bllokojnë rrugën kryesore, ndërkohë thonë se nuk do të paguajnë faturat e përmuajshme.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›