E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ekipet sportive në shkolla”, Rama: Mbi 10 mijë nxënës dhe 650 shahistë të vegjël në edicionin e katërt


TIRANË, 23 maj /ATSH/ Atmosferë festive dhe emocione të forta kanë shoqëruar finalet e kampionatit kombëtar të edicionit të katërt të programit “Ekipe Sportive në Shkolla”, që këtë vit mblodhi mbi 10 mijë nxënës nga e gjithë vendi.

Finalet kurorëzojnë suksesin e një programi që promovon sportin, disiplinën, punën në grup dhe zhvillimin e talenteve të reja në shkolla, duke u kthyer në një nga nismat më të rëndësishme për aktivizimin e të rinjve përmes sportit.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se risia e këtij edicioni ishte përfshirja për herë të parë e shahut si disiplinë sportive në kuadër të programit, ku iu bashkuan garës edhe 650 shahistë të vegjël.

“Një moment emocionues që finalizon suksesin e këtij programi përmes punës, disiplinës dhe talentit të mbi 10 mijë nxënësve që janë pjesë e tij. Për herë të parë këtë vit, ekipeve u bashkohen edhe 650 shahistë të vegjël si disiplina më e re që u shtohet ekipeve”, u shpreh Rama.

Programi “Ekipe Sportive në Shkolla” vijon të zgjerohet nga viti në vit, duke krijuar më shumë mundësi për përfshirjen e nxënësve në aktivitete sportive dhe edukative, si edhe duke nxitur frymën e konkurrencës së ndershme dhe bashkëpunimit.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›