E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia greke, BQE ndihmon me një tjetër kredi

Greqia është pranë marrjes së një kredie tjetër të garanduar nga Banka Qëndrore Evropiane për të ndihmuar Bankën Qëndrore greke. Gazeta gjermane Bild shkruan për planin e Frankfurtit, e cila thotë kjo është vendosur në mbledhjen e fundit të Bordit Drejtues të datës 2 gusht.

BQE ka vendosur të shtojë sasinë e kredive afatshkurtra që Banka Qendrore greke mund të marrë në formën e kredive emergjente, në mënyrë që të mbulojë nevojën për para të vendit deri në shtator.

Deri tani Banka Qendrore e Greqisë mund të pranonte bono afatshkurtra deri në një total prej 3 miliardë eurosh, ndërsa vendimi i fundit sipas gazetës gjermane do ta shtojë këtë shumë deri në 7 miliardë euro, duke i mundësuar kështu qeverisë greke fonde të nevojshme për t`i përdorur deri në shtator kur trojka do t`i mundësojë kësti e radhës së ndihmës prej 31 miliardë eurosh.

Banka Qëndrore Evropiane pak kohë më parë mori vendimin që të mos pranonte më tituj shtetëror grek si garanci për dhënien e kredive dhe sipas disa burimeve mund të pranojë të marrë përsipër humbjet e bonove qeveritare në portofol, sikurse kanë bërë edhe investitorët e tjerë privatë.

Por nuk kanë munguar kritikat për këto veprime nga ana e gjermanëve. Ministri i Financave të Bavarisë ka kritikuar disponueshmërinë e BQE për blerjen e titujve në treg të hapur për vendet në vështirësi të Eurozonës. Sipas tij Banka Qendrore po merr një rrugë të rrezikshme, e nuk mund të transformohet nga një mbrojtëse e monedhës në një bankë që krijon inflacion.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›