SHBA: Papunësia, temë qendrore në fushatën elektorale
Ndërsa nëntori po afron fushata presidenciale në Shtetet e Bashkuara sa vjen e bëhet më e fortë. Nuk kanë munguar asnjëherë kritikat apo sulmet mes dy kandidateve, por se fundmi duket se janë bërë më të forta.
Në garën presidenciale mes presidentit Barak Obama dhe kandidatit Mitt Romney cështja e ekonomisë është ajo që po merr me tepër vëmendje. Raporti i fundit mbi tregun e punësimit ishte pozitiv, por niveli i papunësisë u rrit në 8 , 3%. Të dy kandidatët po përqëndrohen në shifra të ndryshme të këtij raporti.
Mitt Romney e di se rruga e tij për në Shtëpinë e Bardhë është ekonomia e dobët, kështu që për të, raporti për punësimin ishte lajm jo i mirë.
"Kjo është një goditje tjetër për familjet e klasës së mesme amerikane në vështirësi pasi presidenti nuk ka ndjekur politika që t`i verë familjet amerikane përsëri në punë" ka theksuar Romney.
Por pavarësisht se niveli i papunësisë u rrit dhe ka qënë mbi 8 përqind për më shumë se tre vjet, por për presidentin amerikan Barak Obama, raporti i tregut të punës ishte lajm i mire, pasi sektori privat vazhdoi të shtojë vende punë .
Presidenti amerikan pretendon se gjendja po përmirësohet ngadalë, ndërsa bën thirrje për më shumë durim. Ndërkohë Romney shpalli një plan me pesë pika për të ndihmuar rigjallërimin e ekonomisë amerikane.
Plani i tij përfshin pavarësi energjitike, përmirësim arsimi, tregti në rritje, reduktimin të deficitit dhe ndihmë për bizneset e vogla. Sipas kandidatit republikan, Presidenti aktual nuk ka arritur të mbajë asnjë nga premtimet e bëra në vitin 2008. 23 milion të papunë, sipas tij, është një shifër mjaft e lartë për një vend të sukseshëm si Shtetet e Bashkuara.