Ekonomia në radhë të parë
Majlind Lazimi / Sekretari për Çështjet Ekonomike, LSI
- Edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 23 qershorit, kur qytetarët shqiptarë do të shkojnë në votime me kokën mbushur plot me premtime ekonomike. Në fakt, për hir të së vërtetës kësaj radhe, partitë politike, sidomos PS-ja dhe PD-ja, nuk kanë qenë aspak të kursyera për të zgjidhur “torbën e dhuratave” elektorale për qytetarët. Por është fakt pozitiv që debati ekonomik ka qenë në fokus të fushatës dhe të opinionin publik, pavarësisht ideologjizimit apo spekulimeve elektorale për “receta magjike” që do ta transformonin ekonominë tonë në një “Eldorado” pas 23 qershorit. Por, në fakt si është tabloja ekonomike sot? Aktualisht, kemi Kryeministrin Berisha dhe qeverinë që po injorojnë sot në kurriz të qytetarëve “simptomat e rrezikshme” të ekonomisë së “sëmurë” shqiptare. Rritja ekonomike mezi arrin 0.5 % të PBB-së, deficiti dhe borxhi publik po kapërcejnë çdo “tavan” dhe po minojnë financat publike për hir të politikës populiste “një rrugë, një votë”, investimet e huaja po bëhen realisht të “huaja” për ekonominë shqiptare, të paktën për 2 vitet e fundit, reduktimi drastik i dërgesave të emigrantëve tanë po kërcënojnë financat e mijëra familjeve shqiptare, deficiti tregtar prej 2 miliardë euro përbën një rrezik për ekonominë dhe për qëndrueshmërinë e monedhës kombëtare, dhe sektori privat ka qindra miliona euro të papaguara nga qeveria shqiptare për punët publike dhe TVSH-në e parimbursueshme.
Të gjitha këto, me pasoja të pallogaritshme që çojnë drejt falimentimit qindra kompani, që sjellin shkurtimin e mijëra vendeve të punës dhe përkeqësojnë kreditë e këqija në sistemin bankar, i cili paradoksalisht po mbyll rubi-netin e kredive dhe injektimin e likuiditetit në ekonomi, në një kohë kur flenë në depozita mbi 7 miliardë euro. Sikur ky realitet ekonomik i dhimbshëm të mos mjaftonte, Kryeministri Berisha në këto zgjedhje po synon misionin e pamundur për të fituar mandatin e tretë, por mesa duket edhe ai e kupton që kjo gjë është po aq e lehtë sa mund të jetë “ti shesësh frigoriferin një eskimezi”. Ka ardhur koha që investimet publike, mos të bëhen sipas “orekseve” elektorale të deputetëve apo Ministrave, por sipas një prioritarizimi dhe leverdie ekonomike ku përfitojnë sa më shumë taksa-pagues. Është gjithmonë e lehtë të pyesësh 10 familje në cepin më të largët të Shqipërisë nëse janë të kënaqur me asfaltimin e një rruge që kushton 10 milionë euro, por nuk duhet harruar që për financimin e kësaj rruge paguajnë taksa me mijëra familje, që u duhet të ecin nëpër rrugët me gropa në qytete apo edhe në akset kombëtare të papërfunduara.
Në këto zgjedhje shqiptarët nuk duan të dëgjojnë sa mirë apo sa keq jetojnë sipas reklamave të qeverisë apo opozitës, por duan një alternativë realiste që i kupton sfidat ekonomike, që ka propozime konkrete, ka eksperiencën dhe vizionin për të “ristrukturuar” ekonominë, ku prodhimi vendas, investimet dhe eksportet duhet të jenë “busulla” e politikave ekonomike. Pra, na duhet një alternativë që ka vullnetin për të marrë vendime ekonomike strategjike që mund të mos sjellë shumë vota për 23 qershorin, por me siguri sjell me shumë punësim dhe mirëqenie për qytetarët në 4 vitet e ardhshme. Patjetër që vota dhe zgjedhja politike është individuale, por ekonomia na bashkon të gjithëve.