Ekonomia po përkeqësohet, qytetarët kursejnë nga frika
Raporti i Bankës Qendrore: Frika nga kriza po shton depozitat në banka
Bilanc negativ në sektorët: ndërtim, telekomunikacion dhe transport
Kriza ekonomike po i detyron shqiptarët që të kursejnë gjithnjë e më shumë e të shpenzojnë shumë më pak. Të paktën këtë tregojnë edhe të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, të cilat flasin për një rritje të kursimeve bankare të shumë qytetarëve shqiptarë. Po sipas të dhënave të BSH-së thuhet se ekonomia shqiptare nuk po sheh asnjë shenjë përmirësimi, pasi në shumë sektorë prodhimi ka rënë.
Bie prodhimi
Kështu gjatë muajve të parë të këtij viti, degët e industrisë (duke përjashtuar industrinë nxjerrëse), të ndërtimit, të transportit, të postës dhe komunikacionit rezultuan me performancë negative. Në të kundërt, produkti i brendshëm bruto i gjeneruar nga sektori i shërbimeve në total, i cili zë rreth 59.5% të prodhimit në ekonomi për tremujorin e parë, regjistroi rritje vjetore me 6.0%.
Ekonomia
Banka e Shqipërisë konstaton në raportin e saj se të dhënat e vrojtimeve sugjerojnë një mungesë të tendencave përmirësuese në ekonomi në tremujorin e dytë të vitit. Ekspertet e institucionit mbikqyrës bankar raportojnë se aktiviteti ekonomik vlerësohet i përkeqësuar në të gjithë sektorët e ekonomisë bazuar në sinjalet e dhëna nga rënia e nivelit të treguesve të besimit në industri, në ndërtim dhe në shërbime.
Sektorët e përkeqësuar
Kështu, sipas Bankës Qendrore, në tremujorin e parë, prodhimi në industri kontribuoi negativisht në ecurinë e Produktit te Brendshem Bruto, duke shënuar një rënie vjetore prej 2.4 për qind. Sektori i ndërtimit regjistroi rënie të vlerës së shtuar me 17.6% në tremujorin e parë të vitit 2012, duke konfirmuar brishtësinë e tij. Negativ paraqitet edhe kontributi i degëve të transportit dhe postë-komunikacionit, që ulen prodhimin e brendshëm bruto me 0.4 për qind. Ndërsa Sektori i shërbimeve mbetet kontribuuesi kryesor në rritjen ekonomike, me rreth 3.4 për qind në tremujorin e parë të vitit. Ndër aktivitetet e shërbimeve, ecuri pozitive po shënon tregtia. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ekonomia shqiptare pësoi rënie prej 0.2 për qind, e para pas shumë tremujorësh, duke paralajmëruar një situatë të vështirë për muajt e ardhshëm.
Kursimet
Përballë kësaj situate aspak optimiste duket se frika e së ardhmes për shkak të krizës ekonomike i ka nxitur shqiptarët të depozitojnë paratë në banka, për të kursyer dhe për të ulur shpenzimet. Individët janë ata që depozitojnë paratë me një afat maturimi të gjatë, nga një deri në dy vjet, me qëllim që të përfitojnë sa më shumë nga interesat. Ndërsa bizneset i përdorin depozitat më së shumti për shlyerjen e kredive. Të dhënat e raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë flasin për një rritje të nivelit të depozitave gjatë muajve të parë të vitit 2012. Sipas BSH-së, fondet e depozituara në sistemin bankar në muajin shkurt janë 11.1 për qind më të larta se një vit më parë. Individët kanë ndryshuar strukturën e kohore të kursimeve të tyre, duke i kaluar nga depozita pa afat në depozita me afat.