E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e pagave, PS: Berisha të japë përgjigje për dyfishimin e çmimeve

Partia Socialiste ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënëses së Kryeministrisë për rritjen e rrogave për punonjësit e administratës, vendim i firmosur sot nga kryeministri Berisha. Sipas opozitës, konsumi i familjes shqiptare ka rënë dhe kryeministri duhet të japë përgjigje për dyfishimin e çmimeve krahasuar me vitin 2005. Në një deklaratë për median, Ilir Beqja theksoi se për përmirësimin e nivelit të jetesës nevojitet një rilindje dhe sipas tij programi i PS për rilindjen shqiptare do e heq taksën e sheshtë dhe do fuqizojë shtresën e mesme. Saliu duhet të japë përgjigje se si i bëhet që buka dhe mielli kushton 2 herë më shumë se në 2005, energjia elektrike kushton 2 herë më shumë se në 2005, uji i pijshëm kushton 2 herë më shumë se në 2005, sheqeri, vaji, orizi kushtojnë 2 herë më shumë se në 2005, barnat dhe shërbimi shëndetësor kushtojnë 2 herë më shumë se në 2005, nafta kushton 3 herë më shumë se 2005, u shpreh ai. Beqja nënvizoi se pagat që kryeministri mburret se ka firmosur sot, në fakt duhet të ishin paguar që para tre javësh dhe se sipas tij, qeveria u përpoq të mburret sot duke treguar se sa janë rritur pagat në letër. Por familjet shqiptare nuk jetojnë me paratë e rrogës në letër. Jetojnë me paratë që marrin në dorë dhe më konkretisht me çfarë blejnë me paratë që marrin në dorë. A ka rëndësi sa janë rritur pagat në letër, kur sot edhe arsimtarët, edhe mjekët,  edhe infermierët, edhe punonjësit e policisë blejnë më pak se sa kanë blerë në 2005, u shpreh ndër të tjera Beqja.
Debati për taksimin

Sipas tij kryeministri duhet tu kërkojë falje punonjësve të shëndetësisë, sepse i ka lënë të përballen me qytetarët në qendra shëndetësore ku mungon çdo lloji ilaçi bazë. Po ashtu, sekretari i Programit të PS, nënvizoi se kryeministri ka frikë të tregojë se si ka ndryshuar taksimi i pagës së arsimtarit dhe ta krahasojë me taksimin e tij.
Sot Saliu paguan çdo muaj 7 mijë lekë më pak taksa se sa paguante shtator 2005 kur u ul në karrigen e kryeministrit. Një mësues që në shtator 2005 paguante 550 lekë taksa në muaj, tani paguan 6 mijë lekë taksa në muaj. Pra një mësues paguan 11 herë më shumë taksa sepse Saliu vendosi të zbatojë taksën e sheshtë. Në 2005 një mësues merrte edhe pagën e 13-të, ndërsa sot edhe pagën e 12-të duhet ta paguash taksa që Bujari të ketë pallat të ri presidencial, që Saliu të rregullojë rezidencën qeveritare në Vlorë, ndërsa Ridvani të ndërrojë kolltukët e zyrës, vijoi ndër të tjera Beqja.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›