Ekonomistët presin ulje në tregun e makinave

Ekspertët presin rënie të fortë të shitjeve në tregun evropian të automjeteve.
Krejt ndryshe flasin parashikimet për Kinën, SHBA-në dhe Rusinë.
"Bota e automjeteve aktualisht po riorganizohet, dhe kjo ka pasoja për vendet e prodhimit", thuhet në një studim të publikuar të premten, nga studiuesi i njohur i sektorit të automjeteve, Ferdinand Dudenhöffer, nga Universiteti i Esenit.
Megjithë krizën financiare, falë subvencionimit nga shteti gjerman të blerjes së makinave të reja duke hequr dorë nga të vjetrat, viti 2009 ishte i gjashti më i mirë për shitjet e makinave në botë. "Rënia e fortë nuk ndodhi", thekson eksperti për sektorin e automjeteve, Dudenhöffer. Sipas studimit, gjatë vitit të kaluar në të gjithë botën u shitën 52,8 milionë makina, 5,4% më pak se një vit më parë. Ndërsa në Gjermani, falë subvencionimit që morën nga shteti pronarët e automjeteve për të këmbyer modelet e vjetra me të reja, u shitën madje 3,8 milionë makina, ose 24% më shumë se gjatë 2008-s.