E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompanitë e duhanit dhe alkoolit ankohen në takimet konsultative të Dhomës Amerikane të Tregtisë

Koncesioni që qeveria shqiptare pritet të japë në janar për prodhimin privat të pullave të akcizës dhe sistemit të monitorimit të tyre, pritet të krijojë probleme të shumta teknike për kompanitë prodhuese e tregtuese të mallrave të akcizës, si dhe do të rrisë kostot, por shqetësimi më i madh duket se lidhet me mënyrën se si do të përcaktohen çmimet e pullave në të ardhmen nga kompania private. Kompanitë e tregtimit të duhanit u ankuan sërish përmes Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë, duke kërkuar informacione paraprake nga qeveria, e cila e ka nisur procedurën e koncesionit, por nuk ka dhënë asnjë shpjegim.
“Problemi qëndron në faktin se pulla e propozuar edhe pse nuk do të jetë elektronike, pra do të jetë me letër, do të ketë një kod të vetin, kod i cili do t’i jepet fabrikës që prodhon mallrat që janë subjekt i akcizës. Në çdo fabrikë do të aktivizohet ky kod dhe fabrikat do të detyrohen të instalojnë një pajisje të posaçme të dhënë nga koncesionmarrësi”, thuhet në buletinin e fundit zyrtar të Dhomës Amerikane. Prodhuesit dhe tregtuesit e mallrave të akcizës paguajnë aktualisht 5 lekë për çdo pullë akcize, çmim ky që sipas tyre është katër herë sa ai i pullave greke të akcizës. Deri më sot pullat janë prodhuar nga vetë qeveria, e cila ka marrë edhe fitimet. Por pas dhënies me koncesion të sistemit, një kompani private do të ketë fuqi monopol dhe do të jetë në gjendje të përcaktojë çmimet e pajisjeve dhe pullave, gjë që në fund do të rëndojë mbi konsumatorët.
Zakonisht monopole të tilla mbikëqyren nga ente publike, të cilat përcaktojnë edhe çmimet, në mënyrë që të shmangen abuzimet. Qeveria përgatiti së fundmi infrastrukturën ligjore për ta dhënë prodhimin e pullave me koncesion, pasi më herët këtë vit, një kompani private dorëzoi propozim për koncesion të pakërkuar. Por mbetet e paqartë se kush do t’i përcaktojë çmimet e pullave të akcizës në të ardhmen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›