Fushat e Shkodrës dhe Lezhës rrezikojnë përmbytje gjatë ditëve të ardhshme

Ministria e Ekonomisë paralajmëroi dje situata emergjence dhe përmbytje të mundshme në ultësirën veriore të Shqipërisë si pasojë e prurjeve të stërmëdha të ujit në lumenjtë Drin dhe Mat, si dhe rritjes së jashtëzakonshme të niveleve të ujit në liqenet e hidrocentraleve. Moti i pazakontë i ngrohtë në zonat e larta të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë ka sjellë shkrirjen e dëborës. Shoqëruar kjo me reshjet e shumta të shiut gjatë ditëve të fundit, prurjet në kaskadën e Fierzës kanë qenë 1350 metra kub për sekondë, shifër kjo që ndodh shumë rrallë.
“Prurjet e ujërave në kaskadën e Drinit kanë pësuar rritje të jashtëzakonshme gjatë gjithë natës së datës 26 dhjetor, duke vazhduar ditën e datës 27, për shkak të shirave të vazhdueshëm dhe shkrirjes së dëborës në zonat malore”, deklaroi dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti.
“Për shkak të rritjes së nivelit pranë kufijve të lejuar dhe shmangien e katastrofave, në përputhje me rregulloren mbi shkarkimin, në mëngjesin e datës 27, në orën 09.10, janë hapur portat e shkarkimit në HEC Koman dhe më pas, në orën 11.20 janë hapur edhe portat e shkarkimit në HEC Vau i Dejës, prej të cilave po shkarkohen rreth 400m3/s”, vijoi Prifti.
Fierza pushim
Prurjet anësore në hidrocentralin e Komanit, i cili mbledh ujërat e shiut në alpet shqiptare, janë aktualisht 1220 metra kub në sekondë, ndërsa hidrocentrali nuk është në gjendje ta shpenzojë të gjithë këtë sasi për prodhim. Duke qenë se niveli i ujit në këtë liqen është aktualisht 174.5 metra mbi nivelin e detit nga 175 metra që lejohet, Fierza është mbajtur e mbyllur. Por, edhe Fierza ka mbërritur në pikën e ngopjes dhe ministria thotë se është çështje orësh para se ky hidrocentral të vihet në punë. Por, në çastin që Fierza vihet në punë, prurjet në Koman e më tej në Vaun e Dejës, rriten, duke shtuar rrezikun e çarjes së digave mbrojtëse në ultësirat e Lezhës e Shkodrës.
“Megjithëse shkarkimi i ujërave të tepërta është duke u kryer në mënyrën më graduale të mundshme, duke përdorur në maksimum prodhimin vendas, ngritja e temperaturave, reshjet e shumta në rajon, parashikimi për vazhdimin e tyre në ditët e ardhshme dhe futja në punë e HEC Fierzë, mund të sjellë rritje të konsiderueshme të derdhjeve në pjesën fundore të kaskadës së Drinit”, tha Prifti në një konferencë urgjente për shtyp.
Në ditët e ardhshme pritet që prurjet në pjesën e poshtme të Drinit të mbërrijnë në 3-4 mijë metra kub ujë në sekondë, sasi kjo që mund të shkaktojë përmbytje të konsiderueshme.
Prodhimi
Shqipëria mund të prodhojë energji elektrike më shumë nga sa ka nevojë të konsumojë, në rast se edhe hidrocentrali i Fierzës vihet në punë. Për këtë arsye, ministria i ka sugjeruar Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të ndërpresë importet.
“Për shkak të rritjes së nivelit në HEC Fierzë, gjatë orëve të ardhshme do të duhet të vihen në funksionim agregatet e tjera në këtë hidrocentral, duke marrë kapacitetin e plotë prej tij”, njoftoi Ministria e Ekonomisë. “Janë marrë masa për koordinimin me OSSH-në për uljen e importit të energjisë, e cila do të kompensohet nga prodhimi vendas”, vijon deklarata.
Situatë emergjence
Sipas ministrit, është ngritur grupi i punës për menaxhimin e emergjencave civile që mund të krijohen nga kjo situatë gjatë ditëve të ardhshme.
“Për përballimin e situatës janë njoftuar kabineti i Kryeministrit, Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Ministria e Bujqësisë eUshqimit, si edhe organet e pushtetit vendor për marrjen e masave nëse situata do sjellë fryrje të mëtejshme të lumit Drin, gjë që mund të sjellë edhe dalje të Drinit nga shtrati”, tha Prifti.
Thellimi i Drinit në provë
Qeveria shqiptare investoi katër vite më parë për thellimin e shtratit të lumit Drin, në mënyrë që të shmangte përmbytjet e tokave në Tomorricë e breg të Matit, të cilat qenë përmbytur rregullisht pothuajse çdo vit, duke rikthyer në kënetë një nga zonat më pjellore të Shqipërisë. Investimi mbaroi në vitin 2006 dhe shmangu përmbytjet masive për disa vjet rresht. Por në nëntor të këtij viti, përmbytjet në Lezhë u rikthyen ndërsa investimet e qeverisë dhe Bankës Botërore për kanale kullimi në këtë zonë pritet të vihen në provë gjatë ditëve të ardhshme.