E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekselenca e produkteve italiane prezantohet në Tiranë

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Nën moton “Inovacioni në Traditë: Siguria, Cilësia dhe Territori në Rrjetin Agro-Ushqimor Italian”, u zhvillua sot në Tiranë një aktivitet i rëndësishëm që  mblodhi bashkë përfaqësues të institucioneve dhe biznesit nga Shqipëria dhe Italia.

Ky aktivitet i rëndësishëm u organizua në kuadër të Javës Italiane të Kuzhinës në Botë nga Ambasada italiane në Tiranë dhe Confindustria Albania, në bashkëpunim me institucionet shqiptare përgjegjëse për bujqësinë dhe sigurinë ushqimore.

Qëllimi i eventit ishte krijimi i një platforme dialogu konstruktiv ndërmjet palëve, me fokus te forcimi i standardeve të sigurisë ushqimore, rritja e cilësisë së produkteve, promovimi i ekselencës gastronomike italiane dhe shqiptare, si edhe roli i inovacionit dhe traditës në zhvillimin e sektorit agroushqimor.

Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit italo-shqiptar dhe e eksperiencës italiane, e cila mbetet një pikë referimi në fushën e sigurisë ushqimore, artizanatit dhe vlerësimit të territorit. Përfaqësuesit e të dy vendeve ndanë përvoja mbi mënyrat se si teknikat tradicionale mund të ndërthuren me teknologjitë moderne, duke garantuar produkte më të sigurta dhe cilësore.

Aktiviteti u mbyll me një moment networking dhe degustim produktesh tipike italiane dhe shqiptare, ku kompanitë patën mundësi të prezantonin ofertat e tyre dhe të krijonin kontakte të reja bashkëpunimi.

Gjatë aktivitetit u theksua se kuzhina dhe tradita agroushqimore italiane janë elementë dallues të markës “Made in Italy”, një simbol i kujdesit dhe kënaqësisë gastronomike; dietës së shëndetshme dhe të qëndrueshme; inovacionit të bazuar në respektin për territorin, produktet dhe njerëzit dhe artizanatit tradicional që e ka bërë Italinë një shembull në mbarë botën.

Ky aktivitet përforcoi edhe një herë rolin e bashkëpunimit italo-shqiptar në promovimin e cilësisë, sigurisë dhe inovacionit në sektorin agroushqimor, duke e vendosur në qendër traditën dhe territorin si elementë kyç të një zhvillimi të qëndrueshëm.

Java Italiane e Kuzhinës në Botë. Foto: Andrin Hoxha 1 nga 10

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›