E Hënë, 2 Nëntor 2026

Evakuohen banorët e bllokuar në Ndërlysaj të Thethit, bashkia e Shkodrës merr masa për lirimin e rrugëve

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se, banorët e bllokuar në Ndërlysaj të Thethit janë evakuar.

Ekipi i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile në terren konfirmon se banorët dhe familjet e bllokuara në Ndërlysaj (Theth) janë evakuar dhe tashmë nuk ka asnjë rrezik për jetën e tyre, bën të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Gjithashtu theksohet se, bashkia e Shkodrës po punon për lirimin e rrugëve dhe rikthimin e normalitetit në transport.

Instituti i Gjeoshkencave njoftoi më herët se gjatë datave 17-18 nëntor vendi do të përfshihet nga reshje intensive shiu, me rrezik për përmbytje, rrëshqitje dherash dhe vërshime të shpejta. Qarqet më të prekura priten të jenë Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa reshje intensive deri mesatare priten edhe në Lezhë, Dibër, Durrës dhe Tiranë.

Prurjet në lumenjtë kryesorë, përfshirë Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosë, pritet të rriten ndjeshëm.

Autoritetet u kanë kërkuar bashkive të marrin masa urgjente për njoftimin e popullsisë, kontrollin e kanalizimeve dhe gatishmërinë e sistemeve të ujësjellësit dhe furnizimit me energji.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile apelojnë qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin zonat me rrezik dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›