“Eksod ‘99”, kujtohet periudha e strehimit të popullit të Kosovës

Viti 1999 shënoi eksodin e popullit të Kosovës, të cilët u dëbuan nga trojet e tyre nga serbët.
Në atë kohë, jo vetëm qyteti i Kukësit, por edhe zona përreth hapën dyert për strehimin dhe mikpritjen e shqiptarëve të Kosovës, të cilët çdo 16 prill vizitojnë qytetin dhe familjet ku u mikpritën dekada më parë.
“Kam shumë emocione çdo herë që vij këtu. Sa hyj në kufi filloj të qaj. Ndiej dhimbje.“
“Tmerr, tmerr! Por falë vëllezërve shqiptarë, nga Kukësi e gjithë Shqipëria… kemi kaluar mirë. Na pritën mirë.“
Edhe qytetarët në Kukës e cilësojnë si një periudhë të errët për Kosovën, ndërsa vlerësojnë bujarinë dhe solidaritetin që i bashkoi për të strehuar qindra familje.
“Kam qenë më shtëpi te këto magazinat. Me mijëra kosovarë kam kaluar, i kam respektuar. Jam munduar…“
“E kujtoj për keq për Kosovën, por për mirë pritjen që i bëri populli i Kukësit vëllezërve tanë.“
Në kuadër të kësaj dite, Bashkia Kukës organizon aktivitete duke mirëpritur qytetarët kosovarë, të cilët kryejnë vizita në Kullën “Eksod ‘99” dhe në vendet ku jetuan për disa muaj.
Gazetar: Dashmir Shehu
/rtsh.al/