Eksod në Kaçanik

Përfundimi i stinorit vjeshtor ka sjellë disa telashe te skuadra e Lepencit, e cila së bashku me tifozët e saj ‘Fikshat’, ishin pa dyshim hijeshia e Superligës. Përveç problemeve me shtabin teknik, nga klubi kuqezi janë larguar edhe një numër i madh i futbollistëve.
Pas Dardan Miftarit, Berat Jakupit, Nimetullah Ajdarit, Ramush Ademit e Ertan Hasanit, të cilët u larguan nga ky ekip pas përfundimit të sezonit vjeshtor, Lepencin së fundmi e kanë braktisur edhe Blerim Guxhufi, Betim Haxhimusa, Fisnik Halimi e Burim Qerkini.
Pa dyshim se këto largime janë një brengë për trajnerin e ri Muharrem Sahiti, i cili do t’i bashkohet zyrtarisht Lepencit të mërkurën.
Derisa kaçanikasit angazhuan portierin Suad Zendeli, në vend të të larguarit Blerim Guxhufi, ish-trajneri i Gjilanit i ka kërkuar 3-4 përforcime nga kryesia e klubit, pas largimeve të papritura.
“Mesfusha dhe sulmi janë mirë, por kemi nevojë për një mbrojtës qendror dhe një mbrojtës të majtë. Çështja e portierit tashmë është zgjidhur, kështu që na mbetet që të përforcohemi në këto dy pozita”, deklaroi trajneri i ri Muharrem Sahiti.
Ish-futbollisti i njohur kosovar thotë se e njeh 80-90 për qind të skuadrës, ndërsa njofton se, njëjtë si te Gjilani, edhe në Lepenc do t’ua japë rastin futbollistëve të rinj, për ta krijuar një bazë të shëndoshë për vitet e ardhshme.
Edhe pse kishte planifikuar të pushonte, pas eksperiencës në klubin vjollcë, Sahiti tregon se oferta e mirë dhe entuziazmi për futbollin në qytetin e Kaçanikut, e bëri ta ndërronte mendjen dhe ta pranojë ofertën. Ndërsa sa u përket objektivave, Sahiti insiston se Lepenci meriton më shumë se mbijetesën.
“Me bashkëpunimin e të gjithëve, mendoj se do t’ia dalim. Lepenci e ka synim mbijetesën, por do të mundohemi të bëjmë diçka më shumë”, përfundoi trajneri gjilanas.