E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Roli i Presidentit si negociator, vetëm këshillues, s’mund të diskutohen vendimet e gjykatave

Juristët shpjegojnë procedurën e negociatave pozitë-opozitë nën praninë e Presidentit të Republikës, ku kjo tryezë kurrsesi nuk mund të negociojë vendimet e gjykatave, apo kërkesën e rëndomtë, për hapjen e kutive. Kësisoj, vendosja e një dialogu politik mazhorancë-opozitë brenda institucionit të Parlamentit, ndonëse angazhon kreun e shtetit pas rekomandimeve të rezolutës së Këshillit të Europës për të ulur palët në bisedime nuk mund të shkojë përtej vendimit të gjykatave dhe dispozitave kushtetuese. I këtij mendimi është juristi çlirim Gjata, i cili shprehet prerazi kur thotë se pjesë e negociatave me Presidentin Topi nuk mund të jetë hapja e kutive të votimit, proces ndaj të cilit gjyqësori e ka thënë fjalën e fundit. “Në qoftë se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe madje s’ka nevojë të ketë, por aq me tepër kur ka vendim të GjK nuk cenohen vendimet e formës së prerë të gjykata, nuk mund të negociohet për to. Ajo që rëndom quhet hapje e kutive, ne e kemi diskutuar, nuk ka vend për t’u negociuar, pasi një gjë e tillë është e zgjidhur nga Kushtetuta dhe madje mund të themi se është një kërkesë absurde, nuk është çështje negociatash, porsa kohë është e zgjidhur nga Kushtetuta. Negociata në këtë rast me praninë e Presidentit, është në fazën e propozimit, rekomandimeve dhe këshillimeve”- u shpreh Gjata. Në argumentin e tij ligjor ish- Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thotë se kreut të shtetit i lind e drejta t’i ulë palët në gjetjen e një zgjidhje politike bazuar në nenin 86 dhe 90 të Kushtetutës, pika 1 e tyre. Por kjo zgjedhje, thekson ai, duhet bërë duke mos interferuar në pushtetin e gjyqësorit. Në të kundërt kalohet në një sistem jodemokratik. “Me Kushtetutën dhe me Kodin Zgjedhor, s’mundet parlamenti të hapë kutitë, pasi këtë gjë e bën KQZ-ja e kontrolluar nga Kolegji Zgjedhor. Vetë e bënë kodin me konsensus, mua më duhet ligji. Hajde t’i hapim kutitë dhe për vendimet e tjera që ka dhënë Gjykata Kushtetuese, por do kalojmë në një sistem tjetër, jo demokratik. Zgjidhja politike duhet të mbështetet mbi Kushtetutë dhe kompetencat e pushteteve të tjera. S’mund të cenohen kompetencat e pushteteve të tjera, parimi i madh i ndarjes së pushteteve. E pamë se çfarë u bë me zgjedhjet lokale të 2007, zgjidhjet politike bënë atë që ndodhi më pas. Le të shërbejë ky rast si precedent duke mos bërë dëm mbi Kushtetutën. Futja në skenën politike për një zgjidhje të situatës politike mes mazhorancës dhe opozitës erdhi pas rekomandimit që Asambleja Parlamentare e KiE bëri pak ditë më parë, ku përmes një rezolute i kërkoi opozitës të heqë dorë nga bojkoti, mazhorancës të ngrejë një komision hetimor parlamentar, si dhe fton presidentin Topi si moderator të uljes në një tryezë bisedimesh mes mazhorancës dhe opozitës....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›