E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmussen: NATO mbështet planin e Feith. Ok reduktimit të KFOR

PRISHTINE-Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka deklaruar të hënën në Bruksel se Aleanca Veri-Atlantike do të mbështesë të gjitha përpjekjet për forcimin e paqes dhe të stabilitetin në Kosovë, përfshi këtu edhe integrimin e të gjitha bashkësive në shoqërinë kosovare. Rasmussen ka thënë se NATO-ja mbështet planin e Zyrës Nndërkombëtare Civile në Kosovë për zgjerimin e pushtetit të Prishtinës mbi veriun e Kosovës. Gjatë një takimi me mediat në Bruksel, Rasmussen ka sinjalizuar mundësinë e reduktimeve të mëtejme të KFOR-it, varësisht nga zhvillimet në planin e sigurisë dhe ka shtuar se në takimin e Stambollit që mbahet të enjten dhe të premten, pos për Afganistanin dhe temave tjera, do të bisedohet edhe për Kosovën. Përfaqësues të institucioneve kosovare thonë se reduktimi i trupave të KFOR-it në Kosovë ka ardhur paralelisht me përmirësimin e gjendjes së sigurisë në vend. Sipas ekspertëve, Kosovës, megjithatë, i kanosen rreziqe nga jashtë. Sipas autoriteteve vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë vlerësohet në mënyra të ndryshme reduktimi i trupave të KFOR-it nga 14 mijë në 10 mijë. Derisa përfaqësues të mekanizmave të sigurisë së Kosovës thonë se reduktimi i KFOR-it është një sinjal se në Kosovë është përmirësuar situata e sigurisë, ekspertët për çështje të sigurisë dhe përfaqësuesit e serbëve të vendit pohojnë të kundërtën, duke shprehur dilema për procesin e reduktimit të këtyre trupave. Gjithsesi duke nisur nga 1 shkurti, në Kosovë do të shërbejnë 10 mijë trupa të NATO-s, strukturë kjo, e cila, siç vlerëson ky mision, do të jetë më fleksibiël. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›