E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Vilson Blloshmi lexon literaturë dekadente e shkruan kundër regjimit

Vilson Blloshmi kur punonte ne kooperative

Në rastin e poetëve të pushkatuar në vitin 1977, përveç dosjes operative dhe asaj gjyqësore të njohura tashmë me emërtimin Blloshmi-Leka, ka pasur edhe një të tretë në Sekretariatin e KQ të Partisë. Në numrin e kaluar bëmë publik relacionin e Feçor Shehut, ish-zëvendësministër i Brendshëm për dinamikën e goditjes ndaj veprimtarisë armiqësore të dy poetëve, drejtuar kupolës politike dhe raportin e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, në adresë të Enver Hoxhës mbi disa probleme të dala nga gjykimi i çështjes së grupit armiqësor në Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Po kaq i rëndësishëm është zbulimi i dokumentit të mbledhjes së Komitetit Zonal të Partisë, ku sekretari i parë, Sotir Koçollari, orienton në formë urdhri verdiktin për pushkatimin e Blloshmit, si kreu i grupit armiqësor. Përtej këtyre vlerësimeve politike, në vijim po zbardhim procesverbalet e ekspertëve letrarë të përzgjedhur nga sigurimi për evidentimin e karakterit armiqësor të krijimtarisë poetike të Blloshmit

Dosja me akt-ekspertimin e krijimtarisë letrare të Vilson Blloshmit çelet me vendimin e datës 28.9.1976, të hetuesit Ligor Kondili, i cili pas sekuestrimit të dorëshkrimeve të ndryshme të gjetura në banesën e Vilson Blloshmit në momentin e arrestimit, autorizon dy ekspertë të fushës së artit për të identifikuar përmbajtjen armiqësore të tyre. Në shënimin e hetuesit Kondili, bëhet e qartë se ka dhënë për ekspertim letrar poezinë Saharaja dhe katër blloqe me poezi e krijime të tjera nga autorë të huaj. Në dokumentet në vijim janë përgjigjet e dy ekspertëve të besuar, të cilët shprehen me hollësi për aspektet dekadente dhe frymën reaksionare të vargjeve të poetit nga Bërzeshta. Po çfarë shkruajnë ata konkretisht
Përmbajtja armiqësore e vjershës Saharaja
Është vjershë hermetike d.m.th e errët nga përmbajtja dhe figuracioni. Është vjershë simbolike dhe vende-vende kalon në alegori (domethënë flet për një gjë dhe kërkon të aludojë për diçka tjetër). Në këtë alegori fshihet një mendim tjetër.
Vjersha hermetike është rezultat i ndikimeve të rrymave letrare dekadente si simbolizmi. Manifestime të figuracionit të errët i kritikoi Plenumi i IV i KQ. Shoku Enver Hoxha në këtë Plenum, midis të tjerave tha: Në poezi është shfaqur prirja e përdorimit të një figuracioni të errët, në kundërshtim me traditën e poezisë aq të qartë shqipe. Disa të paktë poetë të rinj filluan të adaptonin në poezitë e tyre hermetizmin. Kjo është farë e huaj për letërsinë tonë…(Raport në Pl. IV, fq 20) Cili është kuptimi i kësaj vjershe hermetike dhe simbolike? Për të kuptuar këtë duhet qartësuar se çfarë kuptimi ka simboli Sahara dhe simboli natë. Vjersha në fjalë nuk është një peizazh i thjeshtë, d.m.th, përshkrim mbi shkretëtirën e Saharasë Afrikane. Po të qe kështu ajo do të kishte detaje të një shkretëtire, ndërsa këtu përmendet vetëm emri dhe rëra. Së dyti, kuptimin direkt të kësaj shkretëtire me një hapësirë shumë të madhe e ngushton vargu Saharaja është një copë tokë. Së treti, dhe më e rëndësishmja është se nuk ka kuptim që njeriu të shkruajë një vjershë për një vend që nuk e njeh, që është jashtë sferës së vëzhgimit të tij. Ky interesim gjeografik, në qoftë se do të supozohej se do të ishte kështu, apo do të pretendohej, është gjithashtu absurd, është pa lidhje. Së katërti, po të ishte ky thjesht një peizazh, atëherë në vjershë nuk do të gjente vend mendimi se kjo shkretëtirë ngrihet si një mallkim, i krijuar prej njerëzimit. Në vjershë del mendimi se ky njerëzim e thërret kujtimin e shkretëtirës kur urren e mallkon. Kjo ka lidhje me atë mallkim që një njeri ia drejton një tjetri, apo një vendi, apo botës duke u shprehur: U shkretofsh! U bëfsh si shkretëtira! Pra, vjersha po të ishte peizazh do të dilte si pjellë e natyrës dhe jo si pjellë e njerëzimit e shoqërisë njerëzore. Simbolikën e vjershës e kuptojmë deri në një farë shkalle, po të kemi parasysh pozitën e vetë autorit të saj. Çfarë qëndrimi mban ai ndaj realitetit tonë socialist? Me çfarë syri e sheh ai jetën tonë? Pakënaqësia ndaj këtij realiteti e bën atë të shpreh mendime dhe ndjenja regresive, nihiliste.
Simboli Sahara është në adresë të një vendi të caktuar, përveç shkretëtirës së vërtetë të Saharasë. Atëherë cili mbetet të jetë ky vend, që në vjershë del pa miq e shokë, pa bij e bija? Simboli Sahara është sqaruar deri në një far mase me vargun Saharaja është një copë tokë, si dhe me detajet Shkëmb,…e gurë dhe nata këtu gjen veç gurë për shtrojë Po kështu edhe në vargun Saharaja e mban vesh e qesh etj. kur ai për keq e mban në gojë Këtu, ai, mbase është fjala për njerëzimin, apo për ata miqtë e shokët që Saharaja nuk i ka. Aludimi më i afërt, pra është për një vend të vogël, një copë tokë që është në konflikt edhe me miqtë e shokët që nuk i ka dhe me natën, me të cilën nuk shkon mirë. Nga fryma e përgjithshme e vjershës, për autorin kjo copë tokë pa miq e shokë, është shkretëtirë, e rrethuar nga armiqësia dhe mallkimi, e si një plagë mbi shpinë të rruzullit, ajo i shërben njerëzimit si mallkim që del në momente urrejtjeje. Kjo copë tokë nuk shkon mirë as me natën. Po cila është kjo natë? Çfarë simbolizon ajo? Që nata këtu është një simbol, kjo duket nga detajet: nata nuk shkon mirë me shkretëtirën, natës nuk i pëlqen të ketë veç gur për shtroje, perçja e saj e zezë nuk ka çtë mbulojë, sepse në shkretëtirë që është një copë tokë, fjalë e dashuri e njerëz nuk ka, nuk ka as lot të qajë as këngë të këndojë, nuk di të ëndërrojë kjo copë tokë etj… Kështu pra, kësaj cope toke i mbetka vetëm mallkimi, që e thërret nga skuta kujtimi i dehur. Ideja e vetmisë, e shkretëtirës, përsëritet gjatë gjithë vjershës dhe mbyll edhe fundin e saj Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë. Po le të kthehemi te simboli natë që është në konflikt me simbolin shkretëtirë. Shkretëtira, siç thotë vjersha,  ka dy lloj forcash me të cilat nuk shkon mirë: me shokët dhe miqtë që nuk ka dhe me natën. Këtu nata qenka jashtë sferës së shokëve dhe të miqve që shkretëtira nuk i ka. Domethënë nata është një forcë brenda sferës së Saharasë dhe, konkretisht, mbi të si perçe e zezë, po që nuk ka se çtë mbulojë. Simboli natë është mjaft i pakuptueshëm. Po të jetë nata një forcë që e simpatizon autori, ajo duhej të ishte në rrethin e miqve dhe shokëve që nuk i ka kjo copë tokë. Atëherë mbetet të jetë një simbol i një force që nuk e do as autori, që për atë është natë. Çfarë mund ti duket natë në realitetin tonë autorit? Në qoftë se simbolet i qëndrojnë këtij interpretimi, në vjershë aludohet (bëhet fjalë në mënyrë alegorike, të tërthortë) për këtë copë tokë të shkretuar, të braktisur, të vetmuar, ku sipas autorit jeta qenka shkretëtirë. Aty nuk ndërtohet asgjë. Bile kjo copë tokë, ndieka kënaqësinë (fillon të gëzojë) kur e përdorkan si mallkim. Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, mohon gjithçka që lidhet me aktivitetin e njerëzve, simbolika e bën atë me një alegori, e cila e bën me një përmbajtje reaksionare. Vjersha ka edhe mjaft vargje pa kuptim, të errët e kontradiktorë, që në fakt shprehin çoroditje, pakënaqësi nga realiteti ynë dhe frikë për të mos e thënë direkt mendimin. Nuk e besoj që vjersha të ketë interpretim jashtë simbolit dhe alegorisë që përdor. Por simbolin ajo e ka vende-vende të pakuptueshëm dhe manovrues.
Eksperti letrar Koçi P.
Librazhd, 20.I.1977
Ekspertim për disa materiale të Vilson Blloshmit
Sot, më datën 29 tetor 1976, në Tiranë, unë, Myzafer Xh, pedagog i letërsisë pranë Universitetit të Tiranës, sipas kërkesës së bërë nga ana e hetuesit të D.P.B Librazhd, Ligor Kondili, me vendimin e tij, datë 28.9.1976, bëra ekspertimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›