E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët e EURALIUS dhe PACA: Mbështesim draftin e PD, është sipas ekspertizës evropiane

21-07-2012 / Gazeta 55

“Imuniteti”, vazhdojnë diskutimet në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit dhe komisionit të ligjeve

-- Ekspertë të PACA-s dhe të EURALIUS, dy misionet evropiane që asistojnë drejtësinë shqiptare, vlerësuan dy projektet e propozuara nga mazhoranca dhe opozita për heqjen e imunitetit, ndërsa nxitën palët për të arritur në një draft konsensual

UPDATE- Këshilli i Legjislacionit dhe komisioni parlamentar i Ligjeve, nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topali nisi sot në ditën e dytë të punimeve, seancën me grupet e interesit për të dëgjuar mendimet e tyre lidhur me nismën “Për heqjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë”, përmes ndryshimeve kushtetuese. Këshilli i mbledhur paraditen e djeshme, pas një debati në parim që zgjati rreth tre orë për nismën në fjalë, në fund vendosi të zhvillojë sot seancë dëgjimore për ndryshimet kushtetuese me ekspertët ndërkombëtarë të misioneve evropiane në Tiranë; me konstitucionalistë të fushës, si Aurela Anastasi, Genti Brahimi, etj; me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja; me kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj; me anëtarë të Gjykatës së Lartë, Ariana Fullani, Arian Nuni; me Avokatin e Popullit, Igli Totozani, etj. 
Përveç drejtuesve të institucioneve të drejtësisë dhe ekspertëve shqiptarë në seancën e sotme u dëgjuan dhe ekspertë të EURALIUS-t dhe PACA-s, misione që kanë asistuar drejtësinë shqiptare gjatë viteve të fundit.
Dy ekspertët e misionit “PACA” dhe “EURALIUS”, kanë përshëndetur draftet e propozuara nga mazhoranca dhe opozita që në thelb lidhen me heqjen e imunitetit. Përfaqësuesi i “EURALIUS”, tha se mbështeste më shumë propozimin e Partisë Demokratike, pasi ai kishte marrë edhe ekspertizën e plotë të tyre. Por sipas tij, edhe drafti i socialisteve është brenda standardeve evropiane. Ekspertet u ndalën më tej tek e drejta për të ushtruar kontroll në shtëpinë e deputeteve apo për arrestimin e tyre. Sipas eksperteve, nëse ato zhvillohen pa dijeninë e të zgjedhurit, atëherë kjo do të cenonte figurën jo vetëm te deputetit, por edhe të parlamentit. Specialistet e dy misioneve u shprehen kundër dënimit për shpifje, duke theksuar se do të preferonin më mirë një zë më shumë në parlament, sesa deputetë të frikësuar nga ndëshkimi. “Çështje problematike është ajo lidhur me shpifjen. Mendoj se nuk duhet të lejoni që deputet të ndiqen penalisht për shpifje, pasi është më mirë dhe nga eksperienca evropiane që deputeti të thotë diçka sesa të mos ketë të drejtën të japë mendimin e saj. E dyta ka të bëjë me kontrollin e banesës, në rekomandimet ndërkombëtare lejohet që prokurorët të fillojnë një hetim ndaj deputetëve. Një kontroll banese mund të ndikojë në funksionimin e parlamentit. Pasi nëse banesa e tij po kontrollohet tani nuk mund të shkojë në punë. Por, pengesës është edhe për prokurorët. Në këtë rast rekomandimi im si ekspert është që ndalimi për kontrollin e banesës të shihet në kodin penal jo në Kushtetutë”- nënvizoi përfaqësuesi i EURALIUS.

Ndërkohë përfaqësuesit e PACA dhe EURALIUS kërkuan që të bëhet kujdes sa i takon kufizimit të imunitetit të gjyqtarëve, pasi sipas tyre imuniteti i tyre prek drejtpërdrejt të drejtat e gjyqtarëve. “Sipas rekomandimeve evropiane Gjykata e Lartë nuk ka pse të mos jetë gjykatë karriere. Gjykata kushtetuese është jashtë gjyqësorit. Nëse ia japin të drejtë parlamentit rritet vartësia, ndaj nuk do rekomandoja që kompetenca e ti jepet parlamentit”- shtoi përfaqësuesi i EURALIUS.

Gjithashtu, përfaqësuesit e PACA-s dhe EURALIUS-it, nënvizuan se dy draftet e paraqitura janë të mira, por vendimmarrja për këtë i takon ligjvënësve shqiptarë. “Prej shumë vitesh Bashkimi Europian ka nxitur Shqipërinë të marrë masa që të ndryshojë imunitetin shumë të madh të gjyqtarëve, ku rekomandimi kryesor ishte që imuniteti i përgjithshëm duhej të hiqej. Shpresoj që qeveria dhe opozita të gjejnë një rrugë të mesme. Sot dua të them se jam i lumtur se këto është rënë dakord për këtë reformë dhe dua të them se jam dakord me dy propozimet. Ndaj ju përshëndes dhe uroj të gjeni konsensus për t’iu bashkuar BE”- tha zyrtari i EURALIUS.
“Ka dy opsione dhe janë shumë të mira, pasi kanë të bëjnë me kufizimin e imunitetit. Dhe ndoshta ju jeni të interesuar të dini se cili është propozimi më i mirë. Në të gjithë mendojmë se vendimmarrja i përket politikanëve shqiptarë”- deklaroi përfaqësuesi i PACA.
Dy projektet, ai i PD-së dhe i PS-së, ndryshojnë nga njëri-tjetri në një përkufizim të rëndësishëm. Ndërsa projekti i demokratëve, që është një përshtatje në shqip e draftit të EURALIUS dhe PACA-s, përcakton heqjen e plotë të imuniteteve për deputetët dhe ministrat. Projekti i PS-së nuk kërkon heqjen e plotë të imunitetit, duke mbajtur të paprekur deputetin apo ministrin nga arrestimi apo kontrolli i banesës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›