Ekspertët e videos Meta- Prifti takohen në kafene me avokatin e kreut të LSI, rakordohen qëndrimet
(E PERDITESUAR)- Ndërsa ekspertët shqiptarë kanë dhënë vlerësimin e tyre për autenticitetin e saj e videos Meta-Prifti, dyshimet mbi punën e ekspertëve shqiptarë janë të forta. Mësohet se prokuroria do të hetojë edhe punën e ekspertëve.
Ndërkohë dyshimet shtohen pasi tre ekspertët kanë qëndruar bashkë me avokatin e Metës të shtunën. Paraditen e së shtunës, në ambientet e një lokali në zonën e njohur si 9-katshet njëri nga mbrojtësit ligjor të ish-zv/kryeministrit Ilir Meta, avokati Serjani, ka qëndruar për më shumë se një orë në një tavolinë së bashku me tre ekspertët në fjalë. Sipas dëshmisë, i pari që është ulur në këtë lokal të njohur në atë zonë, ka qenë avokati mbrojtës, i cili ka edhe zyrën pak metra më tutje, ndërsa pas pak minutash në tavolinë janë afruar dhe ulur tre ekspertët Artur Rahmani, Adrian Pollo dhe Ermal Beqiri. Biseda mes tyre ka zgjatur deri rreth orës 11:15 minuta, kur janë ngritur nga tavolina të gjithë së bashku për tu larguar në drejtime të ndryshme. Një takim i tillë i zhvilluar vetëm një ditë para se të paraqesin raportin përfundimtar të ekspertimit hedh hije dyshimi për mbrojtjen se nuk bëhet veçse për të rakorduar mes tyre, se çfarë përmbajtje duhet të ketë ky raport.