Edi Rama: Nuk do prekim taksat për prodhimet bujqësore vendase
Në fjalën e tij përpara grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kreu i kësaj partie, Edi Rama, vlerësoi deputetët e tij për organizimin e tryezës për reformën në drejtësi.
Ishte një aktivitet gjithëpërfshirës e kuptimplotë. Mungesa e palës tjetër mbeti e pajustifikuar. Por më e pajustifikuar ishte shprehja brutale e deputetëve të PD, të cilët dhanë një mesazh të shëmtuar.
Ne do vazhdojmë politikën e dorës së shtrirë, do vazhdojmë të shohim përpara, të jemi zëri dhe forca e së ardhmes, tha Rama.
Kreu i PS tha se në Kongres do prezantohet programi bazë, i cili do shtjellohet në çdo fshat e qytet.
Kemi në dorë dy instrumente që na duhen për të shkuar të sigurt në fitoren e zgjedhjeve. Do u japim shqiptarëve një program bazë, plot vizion dhe ide, të cilin do e shtjellojmë në çdo qytet e fshat, për tu ndarë më në fund nga politika e vjetër, tha Rama.
Përpara deputetëve, Rama foli sërish për propozimin e PS për uljen ose heqjen e TVSH.
Siç e keni parë dhe dëgjuar, propozimi ynë për heqjen e taksës për bukën, qumështin, vezët e ilaçet, për uljen e taksës për faturat e energjisë dhe heqjen e taksës për inputet bujqësore, kanë ngjallur shumë interes. Ne do e bëjmë realitet atë sapo të vijmë në pushtet, nëse qeveria vazhdon të mos pranojë dhe të gënjejë për këto taksa. Këto që propozoj nuk kanë lidhje me akuzat e shpifjet e Saliut, të cilit nuk ia ndien për ata që jetojnë jashtë familjes së tij. Do heqim dhe taksën e inputeve bujqësore dhe nuk do prekim taksën e TVSH-së për prodhimet bujqësore vendase, theksoi Rama.