E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjykata trukohen shortet e gjyqtarëve

Share

Dhjetëra qytetarë janë ankuar pranë ministrisë dhe KLD-së për trukim të shorteve në gjykatat shqiptare, dhe dy ditë më parë një grup kontrolli është nisur në drejtim të 12 gjykatave. Rezultatet kanë qenë befasuese. Është vënë re se gjyqtarët e rreptë kanë pasur më pak çështje se gjyqtarët më liberalë, duke ngjallur hije të rënda dyshimi mbi të gjithë sistemin gjyqësor. Ministria thotë se rezultatet e këtij kontrolli do ti bëjë shpejt publike, pasi edhe nga kontrolli janë përfituar prova të pakundërshtueshme. Nuk përjashtohet që ndaj disa kancelarëve të gjykatave të merret masë ligjore, deri në shkarkim nga detyra apo ndjekje penale, ndërsa masa mund të merren edhe ndaj kryetarëve të gjykatave që kanë qenë në dijeni të të gjitha procedurave që kryheshin në rrethin që mbulonin.

Grupi i kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë, krahas juristëve dhe inspektorëve, kishte në përbërje edhe informatikanë, që kanë këqyrur mënyrën e hedhjes së shortit. Ata kanë inspektuar kompjuterët me të cilët hidhej shorti në mënyrë elektronike. Kontrolli i kompjuterëve është kryer në 12 gjykata në Shqipëri dhe informacionet flasin për një trukim në masë të shorteve në gjykata. Ka dyshime se kancelarët e gjykatave, duke bashkëpunuar me punonjësit e tjerë të administratës dhe me vetë kryetarin e gjykatës, paracaktonin gjyqtarët e çështjeve. Në listën e gjyqtarëve të një gjykate ata hiqnin gjyqtarët e padëshiruar nga lista në kompjuter dhe shorti kryhej vetëm me gjyqtarët e preferuar. Në këtë mënyrë, çështja merrej nga gjyqtari i preferuar. Ka dyshime se shorti i çështjeve hidhej edhe në prani të avokatëve, që kishin miq disa gjyqtarë dhe armiq disa të tjerë. Këta të fundit nuk i preferonin dhe punonin me disa gjyqtarë konkretë. Ministria e Drejtësisë dyshon se ka edhe mënyra të tjera me të cilat mund të kryhej trukimi. Në rast se nuk punonte kompjuteri me të cilin hidhej shorti elektronik, administrata e gjykatës caktonte gjyqtarët me shortin me gogla. Megjithatë, edhe me këtë mënyrë primitive, administrata e gjykatës arrinte që të paracaktonte gjyqtarët. Në gogla vendosen vetëm gjyqtarët që dëshironin dhe gjyqtarët e tjerë i linte jashtë shortit për çështjet me interes. /Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›