Ekspertët kundër premtimeve për taksat: Bëhen për fushatë dhe ulin buxhetin
Bizneset janë në krizë, bie fuqia blerëse, ulet numri i të punësuarve
Ekspertë të ekonomisë kanë dalë kundër nismave të qeverisë për uljen e taksave. Ata argumentojnë se kjo lloj iniciative do të sjell vetëm një përmirësim të përkohshëm, por më pas do të ketë pasojë të rënda, pasi të ardhurat në buxhet do të jenë më të ulëta, dhe gjithë situata do të kthehet në bumerang; nga përgjysmim i taksave në dyfishim të tyre.
Premtimet
Ekonomistët sugjerojnë se ulja apo ngritja e taksave duhet të bërë në mënyrë të kontrolluar, të rrallë, dhe gjithnjë duke marrë sugjerimet e grupeve të interesit. “Konteksti ekonomi, social, shoqëror, politik në të cilin po zhvillohet kjo fushatë është e tillë që nuk po lejohet hapësirë për rishikime sidomos në uljen e taksave, pasi të dy tendencat, qoftë shikimet në ulje apo në rritje, janë të rrezikshme për stabilitetin makro-ekonomik, klimën e biznesit dhe përgjithësisht për mundësitë që vendi ka dhe ofron në të ardhmen për thithjen e investimeve të huaja. Ulja e taksave të premtuara nga të dy grupimet kryesore politike dhe ndonjë masë periferike që qeveria merr në prag të fushatës elektorale, mendoj se ndikon negativisht qoftë në realizimin e objektivave të të ardhurave tatimore të vitit 2013, ashtu dhe për të ardhmen, se dihet që një arritje e shënuar, është e vështirë të rikthehesh në periudha që vijnë”, tha dje në media Zef Preçi, ekspert i ekonomisë.
Bien të ardhurat
Sipas ekonomistëve rënia e fuqisë blerëse në treg po jep efekt në rënien e të ardhurave të biznesit, veçanërisht atij që prodhon për konsumin vendas. Rënia e konsumit, e cila reflektohet edhe në rënie të të ardhurave nga biznesi vendas në buxhetin e shtetit mund të shkojë deri në shifrën 10 për qind. Kjo rënie vërehet në të gjithë bizneset prodhuese vendase, veçanërisht në ato të cilat janë të destinuara për konsumin vendas, ka argumentuara dje në media Alban Zusi, nga Qendra e Klasterave të Biznesit.
Rishikimi i taksave
Më tej akoma, ulja e prodhimit po çon në ulje të numrit të të punësuarve, një cikël negativ që do të reflektohet në rënie të mëtejshme të fuqisë blerëse. Në këto kushte, sipërmarrësit kërkojnë rishikimin e taksave që rrisin në mënyrë artificiale koston e prodhimit vendas. Taksat mbi lëndët e para, të cilat në fakt janë konceptuar për të mbrojtur prodhimin vendas, nuk mbrojnë absolutisht prodhimin vendas. Po kështu është TVSH-ja mbi produktet agro-industriale, e cila duke qenë 6 për qind në blerje dhe 20 për qind në shitje, në fakt po sillet si një taksë mbi prodhimin vendas, duke i rritur artificialisht kostot e prodhimit vendas dhe duke e bërë atë jo konkurrues në momentin që ai shitet në mënyrë formale në rrjetet e supermarketeve, tha më tej Zusi.
Fushata elektorale
Duke iu referuar nismës politike për lehtësimin e biznesit, për Qendrën e Klasterave të Biznesit kjo po bëhet për efekt të fushatës elektorale. Marrja e masave të shkëputura nga njëra-tjetra mund të ketë efektin e kundërt. Do të kemi një tkurrje të të ardhurave buxhetore dhe mund të ndodhemi para një situatë që pas disa muajsh, cilado qeveri, e majtë apo e djathtë do të detyrohet të rrisë dhe ndoshta dhe të dyfishojë tashmë taksat, thotë Zusi. Pavarësisht sugjerimeve dhe këshillave të ekspertëve të fushës, edhe vetë qeveria duket se nuk është e qartë me premtimet e saj për ulje taksash. Rasti më i fundit ishte ai për TVSH-në në bujqësi, ku nga heqja e kësaj takse u kalua në një tjetër skemë, atë të rimbursimit të TVSH-së për fermerët.