E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ekspertët mjekësorë francezë: Fëmijët nën gjashtë vjeç duhet të shmangin ekranet, pengojnë zhvillimin e trurit

Fëmijët nën moshën gjashtë vjeç nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve, përfshirë televizorin, për të shmangur dëmtimin e përhershëm të zhvillimit të trurit të tyre, kanë thënë ekspertët mjekësorë francezë.

“TV, tabletët, kompjuterët, videolojërat dhe telefonat inteligjentë “tashmë kanë pasur një ndikim të madh në një brez të ri të sakrifikuar në altarin e injorancës”, shkruhet në një letre të hapur drejtuar qeverisë nga pesë organe kryesore shëndetësore, shoqëritë e pediatrisë, shëndetit publik, oftalmologjisë, psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve.

Duke bërë thirrje për një rimendim urgjent nga politikat publike për të mbrojtur brezat e ardhshëm, ata thanë: “Ekranet në çfarëdo forme nuk plotësojnë nevojat e fëmijëve. Më keq, ato pengojnë dhe ndryshojnë zhvillimin e trurit, duke shkaktuar një ndryshim të qëndrueshëm në shëndetin e tyre dhe kapacitetet e tyre intelektuale”.

Rekomandimet aktuale në Francë janë që fëmijët nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve para moshës tre vjeç dhe të kenë vetëm “përdorim të herëpashershëm” midis moshës tre dhe gjashtë vjeç në prani të një të rrituri.

Ata sugjerojnë që ndalimi i ekraneve duhet të zbatohet në shtëpi dhe në shkolla.

“As teknologjia e ekranit dhe as përmbajtja e saj, përfshirë të ashtuquajturën përmbajtje ‘edukative’, nuk janë përshtatur me një tru të vogël në zhvillim. Fëmijët nuk janë të rritur në miniaturë: nevojat e tyre janë nevoja të ndryshme. Çdo ditë profesionistët shëndetësorë vëzhgojnë dëmet e shkaktuara nga ekspozimi i rregullt ndaj ekraneve para se të hyjnë në shkollën fillore: gjuhë e vonuar, deficit vëmendjeje, probleme të kujtesës dhe agjitacion motorik”, thuhet në letër.

Ata rekomandojnë alternativa duke përfshirë leximin me zë të lartë, lojën e lirë, lojërat e tavolinës ose lojërat në natyrë, aktivitete fizike, krijuese dhe artistike.

Vitin e kaluar, një raport i porositur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, zbuloi se francezët tre deri në gjashtë vjeç kalonin mesatarisht 1 orë e 47 minuta në ditë para një ekrani./ The Guardian

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›