E Hënë, 2 Nëntor 2026

1 Maji në botë, protesta masive për Ditën e Punëtorëve

Tubimet e 1 Majit në mbarë botën u shoqëruan me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra protestuesve.

Në Turqi, policia u përplas me protestuesit në Stamboll. Tubimi i 1 Maji shërbeu si një mundësi për demonstruesit pro-demokracisë për të protestuar kundër burgosjes së kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Sipas raportimeve më shumë se 400 persona u arrestuan atje të enjten.

Në Francë, Konfederata e Përgjithshme e Punës nisi tubimet në Paris, por njoftoi paralelisht  270 protesta në mbarë vendin duke kërkuar rritje pagash dhe kushte më të mira pune. Tensionet u rritën në qytetin e Nantes gjatë demonstratës së 1 Majit, ku u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Në Itali, vetëm në tre muajt e parë të vitit, 138 punëtorë vdiqën në vendet e tyre të punës. Kështu, sindikatat kryesore italiane vendosën t’ia kushtojnë Ditën e Punës sigurisë në vendin e punës, e cila tashmë konsiderohet një emergjencë.

Aktivistët në Shtetet e Bashkuara thanë se mesazhi i tyre ka të bëjë me luftën kundër politikave të Presidentit Donald Trump që synojnë emigrantët, punonjësit federalë dhe programet e diversitetit.

Ne Korenë e Jugut, mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Seulit për të marrë pjesë në demonstratat e Ditës së Punës, duke kërkuar njohjen e të drejtave të punëtorëve.

Në Irak, protestuesit me banderola në duar marshuan në kryeqytetin Bagdad në Ditën e Punës.

Në Greqi, mijëra protestues morën pjesë në tubimin e 1 majit duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve jashtë Parlamentit në Athinë.

Sindikatat e Serbisë iu bashkuan për herë të parë protestës së thirrur nga studentët, 6 muaj pas një tragjedisë në Novi Sad.

Punëtorët në Kosovë protestuan për të drejtat e tyre, duke kërkuar rritje pagash.

Protesta të ngjashme u zhvilluan në shumë vende në mbarë botën.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›