E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët skeptikë për borxhin e brendshëm në euro, ja efektet negative në ekonomi

Thithja e likuiditeteve nga buxheti do të shtrenjtojë dhe do të tkurrë kreditë për individët dhe bizneset

Emetimi i eurobondit shqiptar në tregun vendas do të këtë efekte zinxhir në sektorët kryesorë të ekonomisë. Përveç rritjes artificiale të kërkesës për euro, e cila do të sjellë zhvlerësimin e lekut, një tjetër sektor i rëndësishëm që do të vuajë pasojat është biznesi.

Kreditimi për këtë sektor do të tkurret ndjeshëm për shkak se bankat janë më të sigurta të blejnë euobondin qeveritar sesa të kreditojnë bizneset dhe sektorin privat. Nga ana tjetër do të rritet kostoja e kredive në euro për individë, që tashmë kanë marrë një kredi në lekë. Madje shtrenjtimi i euros do të japë efekte të ndjeshme edhe në sektorin e ndërtimit dhe të shitjes së banesave, i cili do të marrë një tjetër goditje. Këto janë konkluzionet e ekspertëve të ekonomisë, të cilët e shikojnë me skepticizëm daljen në tregun vendas për marrjen e kredive të euro. Nga ana tjetër buxhetit të shteti i duhem me doemos euro për të shlyer detyrimet e një kredi tregtare që ka marrë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.


Ekspertët
Emergjenca për borxh, detyron Ministrinë e Financave ti drejtohet tregut të brendshëm për borxh në euro, pasi tregjet financiare ndërkombëtare gjenden në vështirësi, pjesë e cila nuk mund të diktohet nga pala shqiptare. E vetja zgjidhja është dalja në tregun vendas pavarësisht të gjithë risqeve. Kështu është argumentuar borxhi i brendshëm në euro nga një pjesë tjetër ekspertësh, të cilët vlerësojnë si të domosdoshme shlyerjen e kësteve të kredisë në kohë pasi kamatëvonesat janë një tjetër rrezik për buxhetin e shtetit. Dështimi i Eurbondit të parë shqiptar ka detyruar Ministrinë e Financave ti drejtohet tregut të brendshëm për financimin e borxhit publik, i cili arrin në 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Për herë të parë është shpikur marrja e Eurobondit në tregjet vendase, duke emetuar borxhe në euro. Kjo do të sjellë rritjen e euros dhe kufizimin e monedhës vendase. Një tjetër problem që pritet të hasin tregjet financiare është edhe shterimi i likuiditeteve pasi bankat do të ndjehen më të sigurta me një borxh që do ti japin buxhetit të shtetit pasi ka riskun më të vogël sesa me kreditimin e bizneseve apo individëve. Ministria e Financave po monitoron me kujdes likuiditetin në tregun e brendshëm, dhe në përputhje me strategjinë tonë për të rritur fleksibilitetitin e huamarrjes, për të diversifikuar burimet e financimit, dhe sigurimin e një pjesë të tij në Euro (kuptohet, pa rrezikuar plotësimin e nevojave të sektorit privat), do të shohim edhe mundësinë e emetimit të një bonoje afatshkurtër në tregun e brendshëm, të denominuar në euro, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave.


FMN për borxhin
Borxhi publik i Shqipërisë është sot më i larti që nga viti 2003. Sipas Fondit Monetar 57.7 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto ose 2 për qind më i ulët nga shifra aktuale ka qene vlera e borxhit në vitin 2008.  Të dhënat zyrtare tregojnë se Shqipëria e ka pasur borxhin publik 72 për qind ashtu sikur thotë kryeministri vetëm në vitin 1999, dy vjet pasi vendi përjetoi kolapsin financiar që shkaktuan skemat piramidale. Që nga ajo kohë borxhi ka ardhur në rënie konstate nga viti në vit. Por  kjo tendencë u përmbys në vitin 2008, kur borxhi u rrit për herë të parë pas dhjetë vitesh. Fillimisht me 1.3 për qind e PBB-së dhe më pas vitin e kaluar ku rritja ishte 4.5 për qind krahasuar me 2008, kryesisht për shkak të stimulit fiskal, rritjes së investimeve publike. Këtë vit qeveria është zotuar se do e ulë borxhin Misioni i fundit i FMN në Tiranë i kërkoi qeverisë ligj të posacëm për të mbajtur nën kontroll borxhin publik, i cili duhet të synonte kufizimin e shpenzimeve qeveritare. Nëse kjo nuk do të ndodh, FMN vlerëson se borxhi publik do të rritet deri në vitin 2013.

Borxhi i brendshëm
Huamarrja e vitit 2010 vijon të kryhet në përputhje me Ligjin e Buxhetit për këtë vit. Sipas këtij ligji, deficiti vjetor prej 49,7 miliard lekësh do të financohej nëpërmjet Huamarrjes së Brendshme prej 39,6 miliardë lekë, dhe financimit të huaj nga kreditë e zhvillimit prej 10.1 miliardë. Deri me tani, huamarrja e brendshme ka arritur ne 14,5 miliardë leke apo 36 për qind e totalit të saj për gjithë vitin, thuhet në njoftimin e ministrisë. Sipas të njëjtave burime mësohet se në rast të emetimit të Eurobondit, për të cilin Ministria po pret momentin më të përshtatshëm dhe stabilizimin e tregjeve të kapitalit, pjesa e të ardhurave prej tij që do të mbeten pas shlyerjes së kredisë sindikale të kontraktuar vitin e kaluar, mund të shkojë për të maturuar një sasi të borxhit të brendshëm afatshkurtër, pra për të zëvendësuar një pjesë të huamarrjes së brendshme me të ardhura në euro nga jashtë.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›