E Diel, 1 Nëntor 2026

QKR: Në pesë muaj, 9 mijë biznese të reja

Në periudhën janar-maj, ekonomisë së vendit i janë shtuar edhe 9 mijë biznese të reja, duke e çuar numrin total të tyre në 134 mijë. Këto janë shifrat zyrtare që ka publikuar Qendra Kombëtare e Regjistrimit. "Për sa i përket regjistrimeve fillestare në 2010,

në pesë muajt, janar-maj, janë regjistruar 8946 biznese", tha Rajmond Cimbi, drejtor i regjistrit në QKR."Shifrat që publikojmë ne për regjistrimet fillestare, kuptohet që janë ato të miratuara, por nuk duhet të harrojmë dhe shumë biznese të tjera që kanë kërkuar regjistrim fillestar që për arsye të mangësisë së vetë dokumentacionit të paraqitur nga bizneset, sot janë në sistem të paplota", u shpreh Tom Kola, drejtor i përgjithshëm i QKR. Në këtë konferencë për shtyp, Tom Kola doli së bashku me Drejtorin e Regjistrit Tregtar Elektronik, Raimond Cimbi; Drejtoren e Drejtorisë së Regjistrimit, znj. Eda Shehu dhe Përgjegjësen e Sektorit të Metodologjisë, Çiljeta Emiri. Në fillim të konferencës për shtyp, Drejtori i QKR, Tom Kola sqaroi arsyet e daljes në konferencë, që kanë të bëjnë me shifra të papërgjegjshme të dhënë ditët e fundit në media, nga persona që nuk i kanë kërkuar zyrtarisht ti marrin këto shifra pranë QKR. Gjithashtu, z. Kola theksoi se të dhënat për pesë mujorin e parë të vitit 2010 janë krahasuar me të dhënat e së njëjtës periudhë të vitit 2009. Raporti për periudhën janar maj 2010 u prezantua nga Drejtori i Regjistrit Tregtar Elektronik, Raimond Cimbi. Sipas të dhënave të raportit, për periudhën janarmaj 2010 janë miratuar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit 8946 biznese të reja dhe, duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, konstatohet një rritje prej 28.4 për qind. Përsa i përket ndryshimeve, z. Cimbi tha se, në periudhën e pesë mujorit të parë të vitit 2010 janë aplikuar në QKR 9211 kërkesa për ndryshim dhe krahasuar me vitin 2009 ka një rritje prej 39.7 për qind, pasi në vitin 2009 kishte 6623 aplikime për ndryshim. Përsa i përket çregjistrimeve në QKR, për periudhën janar maj 2010 numri i tyre është ulur me 6.33 për qind, duke e krahasur me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përsa i përket falimentimeve, mbylljes së bizneseve, kemi shifrën nga dita e parë që ka nisur funksionimi i QKR, pra nga 3 shtator 2007 deri në maj 2010, që është zero kemi falimentime, u shpreh ai. Pas prezantimit të të dhënave për periudhën janar maj 2010, drejtori i QKR, Tom Kola bëri dhe interpretimet ekonomike përkatëse. Sipas tij, rritja e numrit të regjistrimeve fillestare në QKR duhet të përshëndetet si një arritje shumë e madhe e biznesit shqiptar. Sipas tij, rritja me rreth 30 për qind e numrit të bizneseve të reja që janë krijuar në pesë mujorin e parë të vitit 2010, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009, është një shenjë që tregon se ekonomia shqiptare nuk po bie, por  po rritet. Nuk është pak që në një periudhë kur bota po kalon recesion ekonomik për shkak të krizës globale, Shqipëria, një vend i vogël dhe me një treg të vogël, ka një rritje prej 30 për qind të numrit të bizneseve të krijuar për herë të parë, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Last Updated on E Premte, 11 Qershor 2010 07:28

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›