Eksperti i PS-së, i përgjigjet akuzave të Ilir Metës: Nuk ka komplot të dy partive të mëdha kundër LSI-së dhe forcave të tjera

Partia Socialiste ka hedhur poshtë akuzat e përsëritura të Lëvizjes Socialiste për Integrim për një vjedhje të presupozuar të votave nga ana e dy partive të mëdha
në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009. Eksperti pranë selisë rozë
për amendimet në Kodin Zgjedhor, Damian Gjiknuri, i ka cilësuar si spekulime dhe keqinterpretime akuzat në lidhje disa aspekte të projektkodit zgjedhor, sidomos ato që kanë të bëjnë me numërimin e votës, komisionet apo formulat e ndarjes së mandateve midis subjekteve zgjedhore.
“Disa aktorë politikë e kanë paraqitur problemin me doza politike negative, deri në akuza se ‘procesi zgjedhor po monopolizohet nga dy partitë e mëdha për të vjedhur apo abuzuar me votat e shqiptarëve’. Për sa i përket numërimit të votave, nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me pretendimin se votat i numëron PD-PS. Në dispozitat ligjore të miratuara në komision është përcaktuar qartë metodologjia, përbërja e grupeve të NV, dhe procesi i numërimit. Më konkretisht, numërimi do të vazhdojë të jetë i përqendruar në nivel Zone Administrimi Zgjedhor, që do të thotë se për çdo qark do të ketë disa të tilla në varësi të numrit të zgjedhësve. Grupet e numërimit do të jenë nga 5-10 për çdo ZAZ. Grupet do të përbëhen nga 4 persona dhe ku vetëm 2 i përkasin PD-PS dhe ku dy të tjerë do të caktohen me short nga përfaqësuesit e partive të mazhorancës dhe opozitës. Pra, në rreth 60-70 ZAZ që do të jenë në rang vendi, do të hidhet shorti për çdo njërën prej tyre se cila parti a majtë apo e djathtë, do të përfaqësohet në Grupet e Numërimit. Gjithashtu siç është theksuar edhe më parë, çdo tavolinë numërimi do të jetë e mbikëqyrur nga një kamera me rezolucion të lartë e cila në kohë reale do të transmetojë procesin e numërimit dhe fletën votimit në ekran, si dhe do ta regjistrojë atë në media elektronike për çdo hetim të mëtejshëm”, deklaroi Gjiknuri.
Sipas tij me ndryshimet e reja i jepet kompetencë vëzhguesit të subjekteve të papërfaqësuara në numërim, që nëse nuk është dakord me vlerësimin e votës të kërkojë kontestimin e saj dhe kjo kërkesë automatikisht pranohet. Për këtë arsye, Gjinuri tha se me zvogëlimin e numrit të anëtarëve të GNV, me diversitetin politik të përfaqësimit me short, me përcaktimin e qartë të të drejtave që kanë vëzhguesit në proces dhe sidomos me aplikimin e teknologjisë së informacionit, procesi i numërimit do të bëjë hapa përpara dhe nuk e rrezikon aspak votën e shqiptarëve. Porsa i përket përbërjes së komisioneve eksperti pranë selisë rozë tha se zvogëlimi i numrit të Komisionerëve ka qenë rekomandimi bazë i raportit të OSBE/ODHIR, për t’u adresuar nga një reformë e ardhshme zgjedhore.
...