Dega e PLL e Tiranës, diskuton për zgjedhjet e ardhshme parlamentare

Dje zhvilloi punimet Konferenca e 10-të e Degës së PLL Tiranë, ku mori pjesë edhe kryetari i PLL, Ekrem Spahiu. Në konferencë u diskutua për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjë që u theksua edhe në fjalën e kryetarit Spahiu, i cili ndër të tjera tha se “ky takim shënon fillimin e përgatitjeve të degës PLL Tiranë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, të cilat marrin një rëndësi të veçantë jo vetëm për Legalitetin, si një parti që do t'i rikthehet Parlamentit, por edhe për mazhorancën aktuale, sepse vendi ka nevojë për thellimin dhe përfundimin e reformave të nisura”. Ai vuri në dukje se “zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm do të jenë një sfidë e rëndësishme që duhet kaluar me sukses për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe me shanse të barabarta për të gjithë konkurruesit”. Duke u prononcuar për debatin më të fundit në lidhje me përbërjen e komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit, Spahiu përsëriti edhe një herë propozimin e mëparshëm të PLL që komisionet zgjedhore dhe grupet e numërimit të përbëhen nga persona jopartiakë. Konferenca e Tiranës, pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm, zgjodhi si kryetar te degës së PLL, Artan Tujani. ...