Ekspertja amerikane: Rregullat nuk ndryshohen në fund të lojës
Intervistë me eksperten amerikane të Drejtësisë Znj. Kathleen Imholz, me një përvojë të gjatë në sistemin zgjedhor shqiptar dhe në atë të vendit të saj, SHBA-së. Këtu, ajo, flet për debatin e fundit të zgjedhjeve në Shqipëri, për klasifikimin e votave, sjelljen e KQZ-së, idenë e rivotimit në Tiranë…
Nga: Ben Andoni, MAPO
Kathleen Imholz është gjithnjë atje. Ku? Kurdo dhe kudo që Shqipëria ka jetuar tollovitë e saj, ekspertja e njohur, i ka ndjekur me kujdes duke dhënë madje edhe asistencën e saj. Kohë më parë, në një aktivitet të madh për Lustracionin në Ballkan të zhvilluar në Beograd, ajo përfaqësonte Shqipërinë dhe përshkimi tejet profesional që i bëri sistemit shqiptar, i la të mahnitur kolegët e saj ballkanikë. Kathleen në gjithë këto 20 vjet jo thjesht ka afruar asistencën e saj, por më shumë akoma ka ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet zgjedhore dhe ato të fushave të tjera. Si të gjithë profesionistët e shkallës së saj ruan ekuilibrat e duhur dhe është edhe ngushëlluese, kur thotë se edhe në vendin e saj, me një demokraci gati 200 vjeçare ndodhin të tilla gjëra. Ka një mendim të pastër dhe të thjeshtë për zgjedhjet e fundit, që Rregullat nuk duhet të ndryshohen në fund të lojës. Në këtë intervistë të gjerë për MAPO lexuesi i gjerë mund të informohet edhe për të gjithë kleçkat e sistemit zgjedhor shqiptar
Si juriste e vjetër në profesion, si e shikoni procesin vazhdimisht të përfolur të zgjedhjeve shqiptare? Cilat janë instrumentet që e bëjnë atë kaq të brishtë?
Para së gjithash, më lini tju sqaroj se unë vij nga qyteti i Nju Jorkut dhe procesi ynë i zgjedhjeve atje, gjithashtu përflitet vazhdimisht. Unë kam qenë anëtare e komisionit të Shoqatës së Avokatëve të Qytetit të Nju Jorkut për përmirësimin e ligjit zgjedhor dhe e di mirë se çfarë problemesh serioze kemi pasur në SHBA dhe jo vetëm në Nju Jork apo në Florida, e cila u bë famëkeqe në kohën e numërimit të zgjedhjeve presidenciale Bush/Gore të vitit 2000, por gjithashtu edhe në shumë shtete të tjera. Dhe, të mendosh, kjo ndodh edhe pas plot dyqind viteve të zhvillimeve demokratike tek ne. Kështu që, si një vëzhguese e shumë prej zgjedhjeve të zhvilluara në Shqipëri – që datojnë pas prej vitit 1992, them se kam një pikëpamje realiste në lidhje me problemin.
Kodi zgjedhor shqiptar, të cilin e njoh më mirë, është ai që u adoptua në muajin maj të vitit 2000, kur unë punoja për OSBE-në. Në Kushtetutën e vitit 1998, për herë të parë është parashikuar si organ kushtetues Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nëse do të lexoni debatet që zunë vend përpara Kushtetutës së vitit 1998, të përmbledhura në dy volume dhe të botuara kohët e fundit nga OSBE-ja me titullin Debati kushtetues, do të shikoni se anëtarët e komisionit për hartimin e kësaj Kushtetute kishin dyshime se një KQZ e cili në të vërtetë do të ishte e pavarur mund të ekzistonte realisht në Shqipëri. Historia e KQZ-së, përfshirë prishjen e saj më 2008 si organ kushtetues, kanë treguar se dyshimet e tyre ishin vërtetë të bazuara.
Kur Kodi i vitit 2000 ishte në hartim e sipër gjatë viteve 1999-2000, disa nga njerëzit që e përgatitën atë, shpresonin jo vetëm të promovonin pavarësinë e një KQZ-je të re të konstitucionalizuar por gjithashtu edhe ti bënin komisionet zgjedhore të niveleve më të ulëta profesionale dhe jo politike. Por, ata shpejt e kuptuan se në një vend që është i vogël dhe tejet i polarizuar politikisht, komisionet e niveleve të ulëta nuk mund ti largoheshin politikës.
Megjithëkëtë, ka rrugë për të inkurajuar profesionalizmin e komisionereve. Për shembull, mund të ndryshohet dispozita që gjendet në kodet e fundit zgjedhorë, përfshirë këtë të sotmin, sipas së cilës çdo subjekt politik mund ti ndryshojë komisionerët apo anëtarët e grupeve të numërimit në çdo kohë dhe për çfarëdo arsye. Me masat aktuale, njerëz pa asnjë përgatitje mund të hidhen në proces, madje edhe në ditën e votimit dhe të tillë njerëz janë më të ndikuar për të marrë vendime politike në vend të atyre që janë profesionalistë në sensin administrativ dhe teknik. Besoj se kjo është një nga pikat që edhe ODHIR-i e ka ngritur në raportet e tyre post-zgjedhore.
Si e shikoni debatin e fundit në lidhje me votat e hedhura gabim, si të vlefshëm apo të pavlefshëm?
Kodi Zgjedhor që është në fuqi, ashtu si gjithë kodet zgjedhorë kudo në botë, është një dokument kompleks, por në disa aspekte ka qartësi. Neni 117, Llojet e votave dhe kriteret për vlerësimin e votës, shpjegon se votat janë të ndara në të vlefshme dhe të pavlefshme dhe në pikën 3, ai liston kushtet që e bëjnë votën të pavlefshme (duke dhënë tetë kategori). Neni 118, Vlerësimi i votave, përshkruan qartë sesi ekipet e numërimit duhet të vlerësojnë çdo votë. Nëse ata nuk bihen dakord që një votë e caktuar është e vlefshme apo e pavlefshme, pika 2 e nenit 118 thotë se ata e vendosin fletën në një vend të ndarë të dedikuar për fletët e votimit të kontestuara dhe vazhdojnë me fletët e tjera. Në fund, mbështetur në nenin 118/4, grupi i numërimit i rivlerëson fletët e kontestuara; nëse ata sërish nuk bihen dakord, atëherë KZAZ merr vendim për secilën nga këto vota, vendim i cili mund të ankimohet në një rrugë normale, ashtu si vendimet e tjera të KZAZ-së. Fletë-votimet e kontestuara identifikohen në mënyrë të ndarë në procesverbalin final të numërimit. Duhet të theksohet gjithashtu se, sipas nenit 118/5, arsyet e kontestimit duhet të shënohen qartësisht në pjesën e prapme të secilës prej fletëve të kontestuara. Kjo procedurë është, ashtu siç thashë, e qartë dhe e arsyeshme.
Mund të argumentohet se sipas nenit 117/3, fletët e hedhura në kutinë e gabuar janë të pavlefshme (për shembull, sepse ato janë me ngjyrë të ndryshme nga votat e tjera në këtë kuti shiko nenin 117/3a). Është raportuar gjithashtu gjerësisht se praktika e vazhdueshme e administrimit të zgjedhjeve në zgjedhjet e mëparshme, dhe në këtë të fundit deri në përfundimin e numërimit në Tiranë, ka qenë konsiderimi i këtyre fletë votimi si të pavlefshme. Nuk kam njohuri drejtpërdrejtë për këtë, por ajo që më duket e rëndësishme është se që ekziston një procedurë e qartë për të kontestuar pavlefshmërinë e votave dhe subjekti që mendon se fletë-votimet e hedhura në kutinë e gabuar duhet të konsiderohen të vlefshme, kishte mundësi, që nga fillimi i votimit, për ta përdorur procedurën ekzistuese për ti kontestuar ato. Kjo nuk është bërë.
Kështu që, unë e gjej veten në mirëkuptim me shumë komentatorë, shqiptarë dhe të huaj, që mbajnë qëndrimin se rregullat nuk duhet të ndryshohen në fund të lojës. Fakti që rezultati i votimit në Tiranë ishte aq i ngushtë nuk ka efekt mbi këtë çështje legale.
A duhej që KQZ të parashikonte që më parë këtë situatë dhe të vendoste rregulla të pastra për aktorët?
Është e lehtë të thuash, pasi ndodh, që problemet të cilat janë shfaqur në implementimin e ligjit mund të shmangeshin duke hartuar rregulla të qarta në fillim. Kjo situatë sështë e re (që fletët e votimit ndonjëherë hidhen në kutitë e gabuara). Ashtu si shpjegova më sipër, sërish, mënyra e caktuar për të zgjidhur këtë problem në nenet 117 dhe 118 të Kodit Zgjedhor më duket e arsyeshme. Nga ana tjetër, mendoj se përvoja e këtyre zgjedhjeve do të jetë një ndihmë shumë e madhe për hartuesit shqiptarë të Kodit të ardhshëm Zgjedhor apo të ndryshimeve të këtij ekzistues.
Do doja të shtoja se kam qenë e përfshirë me hartimin legjislativ në Shqipëri për një kohë të gjatë, dhe jo vetëm në Kodin Zgjedhor të vitit 2000, por edhe në shumë ligje të tjera dhe veçanërisht që nga viti 200