Rama: Kemi dhënë prova të manipulimit të KQZ-së, presim drejtësi nga Kolegji Zgjedhor
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se opozita ka vërtetuar me fakte manipulimin dhe përmbysjen e rezultatit për Tiranën nga ana e KQZ-së në tavolinë. Rama ka thënë se pret që prokuroria të hetojë këtë krim.
Saliu do të grabisë fitoren. Ne kemi dhënë prova të krimit të KQZ-së, e cila ka manipuluar rezultatin për Tiranën. Në KQZ vazhdon ende manipulimi dhe përmbysja e rezultatit në tavolinë. Shqiptarët rezultatin e panë më sytë e tyre. Saliu ka bërë zgjedhjen më të gabuar, të cilën po e paguan Shqipëria dhe shqiptarët. Saliu kurrë nuk ka fituar dot pa vjedhur kundërshtarin, ka thënë Rama.
Ai është shprehur se pret drejtësi nga ana e Kolegjit Zgjedhor, në këtë moment të vështirë.
Ne presim drejtësi nga Kolegji Zgjedhor. Drejtësia është në një gjëndje kritike, por ne jemi të detyruar nga vizioni ynë dhe nga bindja jonë se në të gjitha rastet, rruga ligjore është një rrugë që duhet ndjekur gjithmonë, që ti referohemi Kolgjit si trupa gjykuese që mund të zgjidhë me nder këtë nyje, e cila rrezikon të kthehet në litar në qafë për qytetarët, për shkak se Sali Berisha kërkon që të vjedhë mandatin e Tiranës, u shpreh ai.
Rama ka pohuar se Partia Socialiste mirëpret idenë e ndërhyrjes së Komisionit të Venecias.
Ai ka thënë se, ajo që po bën Saliu na cënon të gjithëve, integrimin dhe ardhmërinë e çdo familje shqiptare, pasi e vendos Shqipërinë në një pozicion jashtëzakonisht të vështirë jo vetëm me vetveten, por me botën mbarë. Ska rrugë të re pa u ndarë nga rruga e vjetër e Sali Berisha. Shqipëria është në një krizë të thellë të demokracisë, drejtësisë dhe ekonomisë dhe përgjegjësi kryesor është Sali Berisha.