Eksploziv lokalit, "vetëvritet" autori
Fatos Mahmutaj
Njëri nga autorët e vendosjes së eksplozivit në bar "Dea" përballë ekspozitës bie nga kati i katërt i një pallati, pasi tentoi t'i shpëtojë ndjekjes së policisë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak minuta, pasi kishte kaluar mesnata e shtunë, kur lagjja "1 Maji", përballë ekspozitës "Shqipëria Sot" u trondit nga një shpërthim i fuqishëm. Zhurma e krijuar nga eksplozioni i lëndës shpërthyese, ka zgjuar gjithë lagjen, ndërsa shënjestra ka qenë lokal "Dea", një biznes i ri në këtë zonë, i vendosur në gjysmën e katit të parë të një pallati të sapondërtuar në rrugën "Emin Duraku". Lënda shpërthyese e vendosur në dyshemenë e hyrjes dytësore të lokalit ka thyer tërësisht xhamin e derës dhe veshjen prej gipsi. Në këtë kohë në lokal gjendeshin vetëm personeli, të cilët, sipas pronarit po pastronin dhe sistemonin për t'u përgatitur për ditën tjetër. Pas eksplozionit është njoftuar policia e kryeqytetit, e cila ka ngritur brenda pak minutash postblloqe në të gjitha rrugët kryesore të Tiranës. Rreth 10 minuta më vonë, patrulla policore që kryente shërbimin në rrugën "Ali Demi" u ka bërë shenjë për të ndaluar dy djemve, që lëviznin në drejtim të lagjes "Shkozë" me motoçikletë me shpejtësi. Por të rinjtë nuk i janë bindur urdhrit të uniformave blu dhe pasi kanë mundur të shmangen nga mjeti i policisë kanë vazhduar të ecin në rrugicat mes pallateve.
Arrestimi
Brenda pak çastesh policët janë vënë në ndjekje dhe kanë mundur t'i lokalizojnë të rinjtë, teksa ngjitnin shkallët e një pallati pesëkatësh pranë Urës së Poligrafikut. Ata kishin braktisur motoçikletën dhe ishin fshehur në sheshpushimin e shkallëve, midis katit të tretë dhe të katërt, ku u kap i pari prej tyre. Ndërsa tjetri u ngjit me shpejtësi një kat më sipër dhe në tentativë për t'iu shpëtuar prangave është hedhur jashtë pallatit. Si pasojë e rënies përtokë në asfalt ai ka marrë dëmtime të rënda në pjesën e kurrizit dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak. Në një njoftim zyrtar policia e kryeqytetit pohon se: "Rreth orës 01:00, një patrullë e pPërgjithshme e vendosur në pikëkontrolli në rrugën "Ali Demi", ka konstatuar një motor, që lëvizte me shpejtësi në këtë aks dhe i ka dhënë shenjë ndalimi. Personat që ndodheshin në të nuk janë bindur dhe janë larguar duke u shmangur. Policia është vënë në ndjekje, ndërsa dy të rinjtë, për t'iu shmangur ndjekjes dhe ndalimit, kanë devijuar rrugën kryesore, duke e braktisur motorin në hyrjen e pallatit numër 269 në këtë zonë. Në katin e tretë është kapur njëri prej autorëve, ndërsa policët kanë vënë re një person tjetër, i cili ishte varur me duar në anën e jashtme të sheshpushimit të katit të pestë".
Aksidenti
Sipas policisë, duke e parë të riun që qëndronte varur jashtë pallatit efektivët blu i kanë bërë thirrje, që të mos rrezikonte dhe të futej në pjesën e brendshme të shkallëve. Por, ai në tentativë për t'u larguar, brenda pak çastesh ka rënë nga lartësia. Policët e ndodhur në vendngjarje, kanë njoftuar menjëherë shërbimin shëndetësor të urgjencës dhe pas disa minutash është dërguar me ambulancë në Spitalin Ushtarak. Më pas është bërë i mundur identifikimi i tij, i cili quhet Erges Agim Isufi, 21 vjeç, banues në lagjen "Shkozë". Sipas policisë gjendja shëndetësore e tij paraqitet e rëndë, ndërsa mjekët kanë ndërhyrë në mënyrë intensive për ta nxjerrë nga rreziku për jetën. Në lidhje me këtë ngjarje policia ka dërguar dokumentacionin mbledhur në hetimet paraprake në prokurori, në mënyrë që të sqarohet mekanizmi i saj. Policia e kryeqytetit u tregua e rezervuar dje për sa i përket motiveve të kësaj ngjarjeje. Vetë pronarët e biznesit, të cilët mohuan njohjen me autorët.